Ndërlidhjet

QKS KUNDËRSHTOHET SI PARTNER PËR BISEDIMET TEKNIKE NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qendra Koordinuese Serbe për Kosovën nuk mund të jetë partner i Kosovës për bisedime, pasi me këtë do të shkeleshin parimet për biseda në nivel të barabartë dhe niveli i bisedimeve do të zbriste, kanë deklaruar sot ekspertë juridikë dhe analistë të pavarur, duke përmendur me këtë rast edhe rolin e Qendrës Koordinuese të Çoviçit si mbështetësen kryesore të strukturave paralele. Dr. Fatmir Sejdiu, ekspert juridik dhe anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se angazhimet e Holkerit janë kontribut i mirëfilltë në ecjen përpara të proceseve dhe inkurajim i institucioneve që të jenë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në dialogun si pjesë e standardeve. Mirëpo, këtu duhet të kujtojmë parimet themelore që janë plasuar kohë më parë, se këto do të jenë bisedime ndërmjet subjekteve homologe:
"Mendoj se Qendra Koordinuese në asnjë rast nuk mund të jetë partner që mund të zhvillojë negociata me Kosovën. Arsyeja e parë është niveli qeveritar, pasi ajo është segment terciar i politikës serbe dhe faktori i dytë është se Qendra Koordinuese me qëndrimet e veta, ka qenë një nga faktorët që ka minuar të gjitha proceset në Kosovë."
Ndërkaq, analisti i pavarur Baton Haxhiu, jo vetëm që mendon se Qendra Koordinuese nuk mund të jetë partner i Kosovës, por thotë se kryeministri Rexhepi në këtë rast ka shumë më tepër ta refuzojë dialogun sesa kur e refuzoi ftesën për takimin e Vjenës:
"UNMIK-u për momentin për shkak të ekuivalencës që e ka bërë vetë UNMIK-u, e konsideron qeverinë e Kosovës të njëjtë si Qendrën Koordinuese Serbe, që është pjesë e qeverisë së Serbisë, prandaj nuk kam koment për këtë dhe po të isha unë, nuk do të bisedoja me QKS".
Dy ditë më parë kryeadministratori Holkeri ka deklaruar se Qendra Koordinuese do të jetë partner në dialogun teknik për shkak se në Beograd ende nuk ka një qeveri të re. Zyrtarët e Kosovës dhe analistët mendojnë se Qendra Koordinuese Serbe praktikisht është një strukturë paralele që vepron në Kosovë. Fatmir Sejdiu thotë:
"Me implikimet që ka bërë në krijimin dhe mbajtjen e strukturave paralele, del edhe vetë asisoj. Praktikisht keni qëndrimin e para disa ditësh të administratës ndërkombëtare që strukturat paralele duhet të shuhen dhe dihet se burim apo gjenerator i këtyre strukturave është pikërisht kjo qendër, nuk mund të rezultojë ndryshe, pos si implikim i drejtpërdrejtë në çështjen e Kosovës."
Ndërkaq, analisti Baton Haxhiu vlerëson:
"Unë mendoj se realisht, po të shikohet juridikisht, po të shikohet faktikisht është strukturë paralele, meqenëse Qendra Koordinuese nuk është e regjistruar në Kosovë, atëherë nuk mund të konsiderohet, pasi ajo vepron në Kosovë."
Vetë zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz dje ka mohuar që Qendra Koordinuese Serbe të jetë strukturë paralele. Kjo qendër është ndërmjetësuesi ynë, ka thënë Karlovicz. Mirëpo, më 14 maj të vitit të kaluar pati dështuar një takim i shefes së zyrës së UNMIK-ut për të kthyerit Peggy Higs me përfaqësues të serbëve, pikërisht pse ajo nuk kishte pranuar që takimi të mbahej në zyrat e Qendrës Koordinuese Serbe në Mitrovicë. Shefi i atëhershëm i drejtorisë për informim të UNMIK-ut, Simon Haselock për Evropën e Lirë pati thënë:
"Nuk mundëm ta mbajmë takimin, pasi ata e penguan takimin me qëllim, duke e caktuar një lokacion që është i papranueshëm për ne," pati thënë Haselok.
Mirëpo, zëdhënësja Karlovicz tha se Qendra Koordinuese ka zyra të autorizuara në Kosovë:
"Qendra Koordinuese ka zyra te autorizuara këtu. Unë di për dy zyra të autorizuara nga ne, njëra është në Mitrovicë dhe tjetra në Graçanicë," tha Karlovicz. Mirëpo, ajo nuk ka shpjeguar se kur janë autorizuar këto zyra.



XS
SM
MD
LG