Ndërlidhjet

logo-print

HOLKERI: STATUSI FINAL I KOSOVËS ËSHTË NË DUART E KËSHILLIT TË SIGURIMIT


Alma Çupi, Tiranë

Sot në Tiranë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën Harri Holkeri, para takimit që pati me Presidentin e Shqipërisë Alfred Moisiu deklaroi:
"Statusi i ardhshëm i Kosovës është në duart e Këshillit të Sigurimit. Nuk jemi ne ata që vendosim për të. Por ne informojmë në mënyrë të rregullt Këshillin e Sigurimit në lidhje me progresin e bërë në Kosovë dhe progresin e mundshëm që mund të bëhet në
vazhdim, duke u krijuar atyre mundësi, që të kuptojnë situatën e atjeshme dhe më pas të marrin vendimet për të vendosur statusin", tha Holkeri.
Ndërsa presidenti Alfred Moisiu u shpreh se Shqipëria është e
bindur se e ardhmja e Kosovës do të përcaktohet nga vetë qytetarët e saj me vullnetin e tyre të lirë dhe në mirëkuptim me faktorin ndërkombëtar.
“Ne jemi të bindur që zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të ndihmojë ndjeshëm në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Shqipëria e quan të domosdoshme që Kosova të përfshihet aktivisht në agjendën e bashkëpunimit rajonal, sidomos në procesin e integrimi të Ballkanit perëndimor në strukturat Euro-Atlantike. E ardhmja e Kosovës është ajo në familjen europiane.” Kështu tha
presidenti Mosiu në lidhje me çështjen e Kosovës, e cila ishte në qendër të bisedimeve që ai pati me kryeadministratorin Harri Holkeri.
Më tej kryeadministratori Holkeri u shpreh se rruga e vetme e Kosovës është ajo drejt Evropës së bashku me përfaqësuesit e tjerë të Ballkanit.
"Sido që të jenë vendimet e statusit, herët apo vonë ato do të kenë një rrugë të vetme. Dhe kjo rrugë është ajo për në Evropë bashkë me përfaqësuesit e tjerë të Ballkanit perëndimor. Si qytetar i një shteti pjesëtar i Bashkimit Evropian, unë do të dëshiroja që të njëjtat vlera europiane të mund t’i ndanim të gjithë. Vlera të
tilla evropiane si për shembull një shtet demokratik, një shtet ligjor, një shtet ku ka një ekonomi të fortë, është vetëm një pikënisje e mirë për të patur një të ardhme më të mirë për në Evropë. Ajo që bëjmë në punën tonë të përditshme është se i shohim burimet njerëzore të atilla, që ata të mund të kuptojnë se duhet të bëjnë
një jetë në paqe dhe në mirëkuptim me të gjithë të tjerët."
Kështu u shpreh kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, i cili pas takimit me presidentin Moisiu pati një takim edhe me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë Osmo Liponen dhe me kryeministrin Fatos Nano. Në qendër të bisedimeve në këto takime sipas informacionit zyrtar
ka qenë siguria në Ballkan dhe përpjekjet që duhen bërë që Ballkanin ta bëjnë pjesë të Evropës.

XS
SM
MD
LG