Ndërlidhjet

OJQ- të KËRKOJNË SISTEM ZGJEDHOR ME LISTA TË HAPURA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pesë koalicione të organizatave joqeveritare, kanë protestuar sot para dyerve të selisë së misionit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, duke kërkuar nga shefi i UNMIK-ut, që për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë, të aplikojë sistemin e listave të hapura dhe në vend të një zone, siç është propozuar, të vendosë disa zona zgjedhore në Kosovë. Leon Malazogu, nga koalicioni “Reforma 2004”, tha se kërkesat e protestuesve, i mbështesin rreth 300 organizata joqeveritare të cilat, sipas tij, janë tejet të shqetësuara me vendimin e OSBE-së dhe UNMIK-ut për faktin se edhe këto zgjedhje do të organizohen duke u bazuar në sistemin e kaluar të zgjedhjeve, i cili sipas tij, nuk solli ndonjë kualitet të caktuar në Kuvendin e Kosovës:
“Jemi mbledhur këtu që me të vërtetë ta tregojmë revoltën ndaj asaj dhe mënyrës jodemokratike si është marrë ky vendim i cili është shumë i dëmshëm për Kosovën në të ardhmen”, tha Malazogu.
Ndërkohë, në mesin e protestuesve ishin dhe përfaqësuesit e tre koalicioneve të OJQ-ve të grave të Kosovës. Përfaqësuesja e Lobit të Grave të Kosovës, Sevdije Ahmeti, tha se organizatat e grave kanë dalë të protestojnë dhe t’i hedhin poshtë, si tha ajo, pohimet e OSBE-së, se përmes aplikimit të listave të hapura do të rrezikohej përfaqësimi i grave në parlament sipas kuotës 30 përqind nga numri i përgjithshëm i deputetëve.
“Në emër të grave, që jemi mbledhur më së shumti këtu, dhe në emër të kuotës, që thuhet 30 përqind, nuk duam të keqpërdoret kuota dhe të thuhet se do të mbeten gratë dhe nuk do të zgjidhen. Ka mundësi të zgjidhet edhe ky problem dhe të garantohet se gratë do të jenë brenda, por gjithsesi cilësia dhe listat e hapura”, theksoi Ahmeti.
Në mesin e protestuesve, kishte dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. Edita Tahiri, deputete e LDK-së, tha se partia e saj i ka mbështetur listat e mbyllura, por shtoi ajo, ky vendim nuk është i drejtë, pasi sipas Edita Tahirit, LDK-ja, si partia më e madhe në Kosovë, as që e ka trajtuar ndonjëherë këtë çështje në organet e saj partiake. Ajo tha po ashtu, se përmes listave të mbyllura, u jepet mundësia partive që të zgjedhin kë të duan për deputet, pavarësisht mbështetjes apo jo nga ana e zgjedhësve.
“Kur është sistemi zgjedhor me lista të mbyllura, atëherë kandidatët mendojnë se nëse nuk janë lojale ndaj partisë, ata nuk do të gjenden nesër kandidat në zgjedhje”, pohoi Tahiri.
Ndërsa protestuesit, prej disa dhjetra vetash po kritikonin shefin e UNMIK-ut se ka nënshkruar rregulloren për zgjedhje me listat e mbyllura, një zëdhënës i kësaj administrate, Sunil Narula, tha se shefi i UNMIK-ut, pritet ta nënshkruajë këtë rregullore, por se sipas tij, detajet e tjera rreth përmbajtjes së saj zyra për informim e misionit ndërkombëtar nuk i di ende.


XS
SM
MD
LG