Ndërlidhjet

NANO VIZITON KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ka shprehur sot bindjen e tij se Kosova është duke ecur me hapa të sigurt drejt plotësimit të standardeve dhe duke realizuar aspiratat e saj shekullore me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Këto komente, Nano i ka bërë sot, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë, me ç’rast është takuar dhe me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkerin. Pas këtij takimi, Nano lavdëroi punën e përbashkët të UNMIK-ut dhe kosovarëve në procesin e përmbushjes së standardeve të përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare:
“Mësuam me kënaqësi që progresi vazhdon dhe që angazhimet e UNMIK-ut dhe autoriteteve të ligjshme të Kosovës, po i nxisin përparimet në plotësimin e standardeve që iu nevoJiten të gjithëve”, tha kryeministri Nano, i cili gjatë ditës, i shoqëruar nga zëvendës-shefi i UNMIK-ut, Çarls Brajshou dhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së re të pikës kufitare të Morinës.
“Kjo është një ngjarje e rëndësishme pasi lidhet me lehtësimin e vazhdueshëm ndërkufitar jo vetëm të njerëzve, por edhe të mallrave, vlerave dhe kapitaleve, që do të nxisin akoma më shumë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Kosovës e Shqipërisë dhe zgjerimin e lëvizjeve të lira dhe shkëmbimeve rajonale”, tha Nano, duke potencuar më pas si të arriturën më të madhe marrëveshjen për liberalizimin e tregut dhe atë për mbrojtjen e investimeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kosova, tha ai, po përjeton një zhvillim të rëndësishëm drejt demokracisë dhe po bëhet pjesë e Evropës nën udhëheqjen e UNMIK-ut dhe kështu po realizion aspiratën e saj shekullore.
“Kosova po realizon kështu aspiratën e vjetër të popullit të saj, i cili mbështetet sot fuqimisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe prandaj po shpërthejnë energjitë, po përmbushen standardet në kuadër të një stabiliteti politik, ekonomik dhe shoqëror”, tha kryeministri shqiptar.
Nano tha po ashtu se Kosova dhe Shqipëria duhet të konsolidohen në realitetin e ri të paqes dhe frymën e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit perëndimor, si një klimë e domosdoshme, për të nxitur proceset e integrimit të dy vendeve në familjen evropiane.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, shprehu bindjen e tij se Kosova dhe Shqipëria do të jenë shembull i bashkëpunimit në rajon, shembull i shkëmbimit dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve:
“Si e përmendi edhe zoti kryeministër, në kuadër të iniciativave të ndryshme rajonale siç janë Pakti i Stabilitetit, Asociim-Stabilizimi, ku kërkohet një bashkëpunim i ngushtë edhe në infrastrukturë, por edhe në lehtësime të tjera për biznes, ne do të vazhdojmë dhe presim rezultate edhe më të mira”, tha kryeministri Rexhepi.
Gjatë ditës së nesërme, kryeministri Nano para se ta përmbyllë vizitën e tij dyditëshe në Kosovë, do të takohet me udhëheqësit e institucioneve si dhe me liderët e partive kryesore politike.

XS
SM
MD
LG