Ndërlidhjet

HAPET ZYRA KOSOVARE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i administratës së UNMIK-ut Harri Holkeri, ka marrë vendim që të lejojë hapjen e Zyrës për Bashkëpunim dhe Koordinim Ndërkombëtar dhe Dialog Rajonal. Kjo zyrë është hapur në kuadër të zyrës së kryeministrit të Kosovës, kurse drejtuesi i saj do të zgjidhet përmes konkursit.
Zyra do të ketë si funksion të vetin koordinimin e aktiviteteve të qeverisë së Kosovës në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë me këtë rast Holkeri. Bazuar në këtë fakt, ai ka shtuar gjithashtu se kompetencat në raport me marrëdhëniet me jashtë, mbeten përgjegjësi e tij, si shef i UNMIK-ut.
“Qëllimi ynë politik është që të plotësojmë ato fusha kritike, në të cilat qeveria e Kosovës ka një përvojë të kufizuar," tha ai, duke shtuar se themelimi i kësaj zyre është një hap i rëndësishëm përpara drejt ndërtimit të kapaciteteve qeverisëse vendore dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet administratës ndërkombëtare dhe Qeverisë së Kosovës.
Kurse kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, shpreson që ky do të jetë vetëm një hap drejt një transferimi më të shpejtë të kompetencave tek qeveria e tij.
“Ne me të drejtë presim bartjen e kompetencave të tjera në fushën e ekonomisë dhe gradualisht, gjatë muajit të ardhshëm presim hapjen e pesë zyrave të tjera, të cilat ne i kemi kërkuar që në gusht të vitit 2003”, tha kryeministri, duke besuar se ato gradualisht nga përgjegjësitë koordinuese dhe këshillëdhënëse siç janë sot, nesër do të jenë ministri të qeverisë së Kosovës, e cila do të dalë nga zgjedhjet e sivjetme:
“Unë mendoj se mandati i ardhshëm i qeverisë duhet të plotësohet me ministri shtesë, që ajo të jetë një qeveri komplete dhe mendoj se kjo zyrë duhet të jetë bërthamë e një Ministrie të Jashtme në mandatin e ardhshëm të qeverisë”, tha kryeministri i Kosovës.
Në mënyrë që këto zyra të reja, të cilat pritet të hapen, të mund të shndërrohen në ministri, kryeministri Rexhepi tha se pret që para zgjedhjeve të ardhshme të bëhet një ndryshim në Kornizën Kushtetuese, për të krijuar mundësinë ligjore të funksionimit të tyre.
“Ne do të kemi aq kompetenca sa do të jemi efikas në zbatimin e detyrave që dalin nga këto zyra”, tha kryeministri. Lidhur me zyrën për Marrëdhënie me Jashtë, kryeministri tha se ajo do të ketë disa kufizime, siç është nënshkrimi i kontratave me shtete të tjera, që mbetet kompetencë e shefit të UNMIK-ut. "Mirëpo ne,"- tha Rexhepi-"nuk do të kemi pengesa në vënien e kontakteve me të gjitha vendet e tjera.


XS
SM
MD
LG