Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE INSTITUCIONET E KOSOVËS HEDHIN POSHTË PLANIN E QEVERISË SERBE


Albana Isufi, Prishtinë

Plani i Qeverisë së Serbisë për krijimin e pesë rajoneve në territorin e Kosovës të banuara kryesisht me komunitetin serb si dhe dhënia e një autonomie territoriale me kompetenca të njëjta si të organeve qendrore, është konsideruar nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës si një hap i gabuar që nuk do t’i ndihmojë marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por as vetë pozitës së serbëve në Kosovë.
Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit thotë se miratimi i këtij plani nga ana e qeverisë serbe është përzierje në punët e brendshme të Kosovës, pasi Serbia, sikurse asnjë shtet tjetër nuk ka juridiksion mbi Kosovën.
“Autonomia politiko-territoriale e dhënë vetëm nga fakti se ai territor është i banuar me një etni të caktuar është kontraproduktive, për atë arsye se në rend të parë autonomia politiko- territoriale ndërtohet për ta bartur pushtetin në nivelet lokale dhe nuk është ekskluzivitet përkatësia nacionale. Kjo neve do të na fuste në një konflikt apo në një politikë që dëshiron Serbia, që në Kosovë të ketë një konflikt ndëretnik, që deri tani ne nuk e kishim. Ne kishim konflikt me Serbinë dhe ta përsëritë gjendjen në Kroaci apo në Bosnje,” tha Tahiri.
Nga ana tjetër zyrtarë të administratës ndërkombëtare në Kosovë mohojnë ta kenë parë një plan të tillë, edhe pse kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ka thënë se me këtë plan janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë.
Shefja për informim e kësaj administrate Hua Jiang thotë se për këtë plan kanë dëgjuar vetëm nga mediat serbe.
“Nuk mund të bëj komente të bazuara nga ato që kam parë në media. Kur ta marrim këtë plan, do ta studiojmë me kujdes dhe ndoshta mund t’ju japim një përgjigje më gjithëpërfshirëse,” thotë Hua Jiang.
Sidoqoftë, ajo nënvizon se qëndrimi i administratës ndërkombëtare në Kosovë është se çdo vendim duhet të merret në pajtueshmëri mes të gjitha komuniteteve.
“Megjithatë, qëndrimi ynë për këtë çështje është shumë i qartë, çkado që të vendoset, në fund duhet të jetë e pranueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kantonizimi dhe ndarja nuk kanë qenë kurrë objektiva tona dhe këtë e kemi thënë shumë qartë edhe në të kaluarën”, tha Hua Jiang .
Ndërkohë, këshilltari politik i kryeparlamentarit thotë se para se të mendojë për Kosovën, qeveria serbe do të ishte mirë që këtë lloj autonomie ta zbatojë në territorin e vet.
“Nëse Serbia mendon se ka aftësi menaxhuese demokratike mund t’i zbatojë në territorin e vet, ta zëmë në Luginën e Preshevës më të gjitha këto kompetenca, apo në Sanxhak e Vojvodinë”, tha Ramush Tahiri.
Ai thotë se ky plan do të shfrytëzohet për konsum nga opinioni i brendshëm serb, por nuk do të ketë reperkusione për institucionet e Kosovës, të cilat sipas Tahirit duhet të vazhdojnë punën në përputhje me dokumentet me të cilat qeverisin.

XS
SM
MD
LG