Ndërlidhjet

LLOYD: "BOTA TË JETË MË E ANGAZHUAR NË KOSOVË"


Anthony Lloyd, eurodeputet, raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës

Evropa e Lirë
Zoti Lloyd, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar një rezolutë për Kosovën. Si do t'i përmblidhnit rekomandimet?

Tony Lloyd
Mendoj se raporti në Asamblenë Parlamentare erdhi për shkak se ngjarjet e marsit tronditën mbarë Evropën, për shkak të humbjes së jetëve dhe shkatërrimit të pasurisë. Ajo që Asambleja Parlamentare u tha të gjithëve është se bota duhet të fillojë të jetë më shumë e angazhuar në Kosovë sërish, në mënyrë që vendi të rikthehet në situatë normale dhe të ketë një siguri që garanton jetën e të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Ne duhet të sigurohemi se politikanët vendorë, posaçërisht ata shqiptarë, duhet të ngriten kundër njerëzve të dhunshëm, pasi ekstremistët nga pala shqiptare më nuk mund ta arsyetojnë spastrimin etnik, ashtu siç bënë serbët dhe Milosheviqi më 1999. Evropa më nuk mund të përballet me një gjë të tillë dhe me mijëra njerëz që dalin në rrugë, në vend se të rrijnë në shtëpi.

Evropa e Lirë
Rezoluta thoshte se një pjesë e përgjegjësisë për ngjarjet e marsit qëndron edhe te bashkësia ndërkombëtare. A është ky paralajmërim për ndryshim të politikës së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës?

Tony Lloyd
Mendoj se Asambleja Parlamentare dëshiron të sigurohet që BE, UNMIK-u dhe vendet evropiane të jenë më shumë të angazhuar në Kosovë, pasi papunësia po rritet vazhdimisht, ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të kenë një punë si duhet, si dhe çështja e varfërisë, sigurisht se kanë ndikim për gjithë këtë. Nëse ne mund të ndërtojmë një të ardhme ekonomike në Kosovë, atëherë mund të kemi edhe gjasë për ta rregulluar situatën në terren. Ne duhet t'u japim shpresat e duhura të gjithë njerëzve në Kosovë, mirëpo, kjo po ashtu është një rrugë dykahëshe, pasi njerëzit në Kosovë duhet të respektojnë vlerat tona, nëse duan ta kenë ndihmën e Bashkimit Evropian. Ata, gjithashtu, duhet të ngriten kundër esktremistëve dhe njerëzve që përdorin dhunën, pasi ata nuk përfaqësojnë shqiptarët e vërtetë në Kosovë.

Evropa e Lirë
Cila është mënyra e re e përfshirjes së Bashkimit Evropian në Kosovë?

Tony Lloyd
Përgjegjësia kryesore e Bashkimit Evropian në Kosovë është para së gjithash në zhvillimin ekonomik dhe në nivele të ndryshme të ndihmës për ndërtimin e institucioneve politike. Ky lloj i zhvillimit ekonomik duhet të bëhet përmes investimeve dhe kjo mund të bëhet vetëm në rast se ka një ambient të duhur të sigurisë këtë. Prandaj, themi se një pjesë e përgjegjësisë për këtë i takon KFOR-it, por edhe popullit të Kosovës që duhet ta lërë dhunën pas vetes dhe të mos llogarisë më në të.

Evropa e Lirë
Zoti Lloyd, cila është mënyra më e mirë për të tejkaluar dhe për të ndrequr dëmet e shkaktuara nga ngjarjet e marsi?

Tony Lloyd
Është varg gjërash që duhen bërë, por çështja më e rëndësishme është që ata të cilët kanë rol udhëheqës në Kosovë, para së gjithash prefektët dhe liderët e komuniteteve duhet të ngriten dhe të thonë se nuk janë të përgatitur të përkrahin dhunë dhe të dëgjojnë ekstremistët. Njerëzit e zakonshëm, shqiptarë dhe joshqiptarë mund të jetojnë bashkë, vetëm nëse jetojnë në paqe dhe njerëzit e mirë mund ta bëjnë këtë kudo.
Përveç kësaj duhet të shohim një bartje të vërtetë të kompetencave nga institucionet ndërkombëtare, tek institucionet vendore, në mënyrë që qytetarët të mund të marrin vendimet e duhura për vetveten dhe familjet e tyre. Kosova mund t'ia dalë, por asaj i duhen tani njerëz të fortë që mund të dalin para dhe të dëshmojnë se duan një të ardhme të fortë.

Evropa e Lirë
Ndërkohë, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një plan që kërkon njëfarë autonomie për sebrët në Kosovë. Si mund të ndikojë kjo qasje e Serbisë mbi qëllimin për një Kosovë demokratike?

Tony Lloyd
Unë nuk mendoj se dikush dëshiron të përfshihet në kantonizimin e Kosovë. Gjithë Evropa dhe pjesa tjetër e botës e shohin të ardhmen e Kosovës në faktin që njerëzit me prejardhje të ndryshme etnike në Kosovë të mund të jetojnë së bashku dhe në paqe, por kjo kërkon përpjekjen e të gjithëve për ta bërë kështu.
Nuk është mirë të drejtohet gishti kah Beogradi apo kah individët, por këta njerëz në Kosovë duhet të punojnë së bashku. Mund ta përmend këtu një shembull të mirë prefektin Lutfi Haziri, i cili kundërshtoi turmat gjatë marsit. Njerëzit si ai janë trima dhe nuk duhen lënë të vetmuar.

Intervistoi Rrahman Pacarrizi



XS
SM
MD
LG