Ndërlidhjet

ERLANDSON: KOSOVA NUK KËRCËNOHET NGA SULMET TERRORISTE


Albana Isufi, Bondsteel

Nuk ka të dhëna se Kosova kërcënohet nga sulmet e mundshme terroriste, thotë komandanti i forcave amerikane në Kosovë, gjenerali Rick Erlandson. Por, ai tërheq vërejtjen se sa herë që në rajon krijohen situata jostabile, siç ishte rasti i trazirave të marsit në Kosovë, krijohet mundësia për infiltrimin e terroristëve.
“Prandaj, përfundimisht, është me rëndësi që të punojmë me SHPK-në dhe me agjencitë e tjera ndërkombëtare për të krijuar stabilitet në tërë Ballkanin dhe në veçanti në Kosovë, që të eliminojmë ose pengojmë kërcënimet terroriste”, thotë gjenerali Erlandson, i cili megjithatë nuk përjashton mundësinë se aktet terroriste mund të ndodhin edhe në Kosovë.
“Edhe pse terrorizmi është një problem global, nuk mund të them me 100 për qind siguri se aktet terroriste nuk mund të ngjajnë në Kosovë, por tani për tani nuk shohim asnjë të dhënë se aktivitete terorriste ose terrorizmi po ndodh në territorin e Kosovës," tha në një takim me gazetarë në kampin ushtarak Bondsteel gjenerali Rick Erlandson.
Ndryshe, gjenerali amerikan Erlandson, i cili menjëherë pas trazirave të marsit për disa javë rresht kishte fuqizuar orën policore në sektorin lindor të kontrolluar nga forcat e tij, thotë se situata në këtë rajon tashmë është normalizuar. Kjo sipas tij është bërë me ndihmën e liderëve lokalë që kanë treguar gadishmëri për të lëvizur gjërat përpara, por edhe me vetë vullnetin e qytetarëve.
“Pasojat e trazirave të marsit janë ende me ne. Kam parë shumë shembuj ku pjesëtarët e të gjitha etniteteve përpiqen t’i kthehen jetës normale, por përsëri mbeten rajone të tensionuara. Shumë persona të zhvendosur nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi ato janë të pabanueshme . Disa punëtorë të komunës ose të forcave të rendit nuk pranojnë të kthehen në vende të punës së bashku me partnerët e tjerë të përkatëve tjera etnike. Kosova është një shoqëri shumëetnike. Shpresa për një të ardhme të ndritshme qëndron me të gjithë bashkësitë etnike, të cilët i lënë pas dallimet e tyre dhe punojnë së bashku”, tha Erlandson, i cili u bëri thirrje liderëve të komunave dhe qytetarëve të Kosovës që të marrin një rol më aktiv në përkrahjen e një të ardhmeje paqësore, pozitive përmes bashkëpunimit shumëetnik.
Erlandson ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së ushtarëve të tij në trafikimin me njerëz ose prostitucion, siç është thënë në raportin e fundit të organizatës Amnesty International. Ai tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar se ushtarët amerikanë nuk do të përfshihen në këto aktivitete.





XS
SM
MD
LG