Ndërlidhjet

FËMIJËVE KOSOVARË VAZHDOJNË T’U SHKELEN TË DREJTAT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Situata e rëndë ekonomike dhe sociale në të cilën gjendet Kosova ka bërë që fëmijët të mos i gëzojnë të drejtat që u takojnë. Kështu u tha në konferencën e sotme të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës, qëllimi i së cilës është të hulumtohen mundësitë për eliminimin e punës së fëmijëve. Ministri Ahmet Isufi tha se pothuajse të gjitha vendet në tranzicion përballen me probleme të tilla.
“Po mundohemi që të punojmë më shumë në krijimin e një harmonizimi të qëndrimeve tona dhe angazhimit për një strategji në mënyrë që të zbusim, sepse për të eliminuar këtë dukuri do të kemi shumë vështirë për shkak se bazohet në ngritjen ekomike të vendit”
Lindita Boshtrakaj nga Programi Ndërkombëtar për Elimiminimin e Punës së Fëmijëve, thotë se kjo organizatë do të përpiqet të luftojë fushat ku fëmijët shfrytëzohen më së shumti.
"Fushat në të cilat do të përqendrohemi më shumë janë, legjislacioni, pastaj zbatimi i legjislacionit, edukimi në mbështetjen e koalicioneve të ndryshme, të cilat janë formuar dhe veprojnë për parandalimin e formave të këqija të punës së fëmijëve dhe trafikimit, si dhe në mbështjen dhe asistencen teknike të familjeve, fëmijët e të cilave punojnë”.
Trafikimi i Fëmijëve dhe Shfrytëzimi Seksual dhe i Punës së Fëmijëve në Kosovë, ishte tema më të cilën u paraqit Sevdije Ahmeti, udhëheqëse e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. Në këtë kuadër, ajo fajëson institucionet vendore e veçanërisht ato ndërkombëtare, për dështimin e tyre në parandalimin e kësaj dukurie.
"Unë flas për 232 fëmijë, të cilët janë të trafikuar, me përqindje shkon se prej vitit 2000, 90 për qind kemi pasur fëmijë, pastaj ka qenë një rënie që mesatarisht arrin shifrën deri në 70 për qind të viktimave, që edhe më tutje janë fëmijë. Me këtë rast do të lidhem se 300 fëmijë në vitin 1999 pas përfundimit të luftës, gusht –shtator, kur nuk kishim qetësi, rend e ligj, nuk kishim as polici, ishte koha kur rrëmbeheshin fëmijët dhe nuk diheshin ku janë. Prej asaj dite deri më sot nuk dihet ku janë këta fëmijë dhe si kanë përfunduar”.
Arbena Kuriu nga Fondi Ndërkombëtar i Fëmijëve në Kombet e Bashkuara, UNICEF, thotë se kjo organizatë ka bërë një hulumtim mbi punën që bëjnë fëmijët në Kosovë. Në raport thuhet se konceptet që duhen marrë parasysh janë deklaratat se, siç thuhet, "puna u bën mirë fëmijëve" dhe se "ajo i mëson për jetë". Por, siç thuhet në raport, 50 për qind e fëmijëve që punojnë deklarojnë se problemet e tyre shëndetësore kanë lidhshmëri me punën e tyre fizike, 10 për qind kanë qenë viktima të akteve kriminale gjatë punës, 13 për qind nuk e vijojnë shkollën dhe 25 për qind thonë se nuk kanë kohë për lojë për shkak të punës.
“Do të kisha thënë se publikimi i këtij raporti do t'i ndihmojë të gjitha institucionet përkatëse në Kosovë dhe rekomandimet e dala nga ky studim do t’i ndihmojnë për hapa të mëtejshme për t’iu qasur çështjes së eleminimit të punës së fëmijëve dhe ndërhyrjeve të duhura në sfera të ndryshme”.
Njëri prej këtyre fëmijëve është edhe Albert Ademi, 16 vjeç, i cili kishte marrë karrocën në duar dhe kishte dalë në treg për të gjetur punë.
“Punoj me mbajt familjen, me karrocë. Me dal jo por mjaftojnë”
Edhe Alberti ka ndërprerë mësimin për faktin se është i detyruar ta mbajë familjen e tij gjashtëanëtarëshe.



XS
SM
MD
LG