Ndërlidhjet

KURTI: PËR KRIZËN NË KOSOVË – FAJTOR VENDORËT DHE UNMIK-U


Albin Kurti, kryetar i KAN

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti ju keni paralajmëruar mbajtjen e një proteste paqësore në kërkim të njohjes së statusit të qytetarit dhe caktimit të një date për përfundimin e misionit të Kombeve të Bashkuara. A mund të shpjegoni më hollësisht kërkesat tuaja?

ALBIN KURTI
Të enjten, më 10 qershor të vitit 2004 bëhen pesë vjet të miratimit ndërkombëtar të rezolutës 1244. Edhe pas pesë vjetësh, Kosova nuk ka progres politik, ekonomik, social. Platforma e tërë sistemit politik dhe shoqëror aktual në Kosovë, mbi të cilin është i ndërtuar ky sistem paraqitet në rezolutën 1244. Për këtë arsye rrjeti i aksionit për Kosovën KAN, në bashkëpunim dhe koordinim me shumë organizata të tjera, kryesisht të të rinjve, e organizon këtë protestë të padhunshme. Me këtë rast kërkesat tona janë që përfundimisht të caktohet një datë kur të mbarohet misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që jo vetëm që ka ardhur në një gjendje të status quos, por madje edhe të regresit dhe mbi të gjitha ne të na njihet statusi i qytetarit, që do të nënkuptonte që ne të kemi një spektër të gjerë të të drejtave njerëzore dhe qytetare. Ne mendojmë se kjo është e domosdoshme që të dalim nga kriza në të cilën ndodhemi dhe në të cilën, dita ditës po zhytemi gjithnjë e më thellë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një komunikatë tuajën keni thënë se qytetari i Kosovës ndodhet në mes të pafuqisë dhe paaftësisë së udhëheqjes kosovare dhe gjithëfuqisë dhe jokompetencës së UNMIK-ut. A do të thotë kjo sipas jush se faji për gjendjen aktuale është i përbashkët?

ALBIN KURTI
Po. Institucionet e Kosovës kanë pak pushtet. UNMIK-u ka tepër pushtet. Situata në Kosovë nuk është demokratike. Edhe pse institucionet e Kosovës kanë pak pushtet, kjo nuk do të thotë se situata do të bëhej jashtëzakonisht më mirë, nëse ato do të kishin shumë pushtet. Mirëpo është e qartë se ne si vendorë në Kosovë ndjehemi të defaktorizuar. Në anën tjetër e tërë fuqia është e përqëndruar në një strukturë ndërkombëtare, e cila qeveris dhe administron me Kosovën, mirëpo këtë nuk e bën në mënyrë demokratike. Dhe qytetari i Kosovës, i ndodhur në mes të këtyre dy gjërave, nuk ka kurrfarë perspektive të ndritshme në të ardhmen e tij dhe në të njëjtën kohë nuk ka kurrfarë shansi që të zhvillohet, pra nuk ka liri të zhvillimit. Faji është i përbashkët, sepse aq më tepër kur shihet një gjendje, në të cilën edhe institucionet vendore në Kosovë, por edhe UNMIK-u, gjithnjë e më tepër po paraqesin të njëjtën anë kundrejt popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, ju flisni edhe për mënyrën e sundimit të UNMIK-ut në Kosovë. A mund të shpjegoni më hollësisht cila është kjo mënyrë?

ALBIN KURTI
UNMIK-u është strukturë autoritare. Së pari vendosja në Kosovë e UNMIK-ut, nuk është bërë në mënyrë demokratike. Duke qenë se nuk është votuar për UNMIK-un, nuk egziston pëlqimi i popullit të Kosovës për UNMIK-un si një strukturë, e cila edhe e qeveris dhe e administron Kosovën. Pra së pari fillimisht kur është vendosur kjo strukturë qeverisëse këtu, kjo nuk është bërë demokratikisht. Në anën tjetër edhe mënyra e sundimit të UNMIK-ut vazhdon që të jetë autoritare. Pra në procesin e vendimmarrjes nuk janë realisht vendorët të përfshirë. Qytetari në Kosovë nuk e ndien veten se është pjesë e këtij procesi. Ai shumë më tepër trajtohet gjithmonë si objekt, i cili duhet vetëm që me heshtjen e tij dhe i cili duhet vetëm me servilitetin e tij, siç zakonisht bëjnë njerëzit në institucione, të miratojë vendime, të cilat nuk janë të vetat. Qytetari i Kosovës padrejtësisht konsiderohet vetëm banor dhe ky është një status që e merr edhe vetë refugjati. Pra në Kosovë nuk kemi të bëjmë me demokraci, as në kuptimin e asaj se si janë vendosur strukturat udhëheqëse, e as në kuptimin e asaj se si ato vazhdojnë të qëndrojnë këtu.

Intervistoi Bekim Bislimi


XS
SM
MD
LG