Ndërlidhjet

MAQEDONIA SHQIPËRIA DHE KROACIA U SHPREHËN TË PËRKUSHTUARA PËR ANËTARËSIM NË NATO


Isuf Kadriu, Shkup

Ministrat e mbrojtjes së Shqipërisë Maqedonisë dhe Kroacisë, si dhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sot në Shkup kanë riafirmuar interesin e përbashkët për bashkëpunim të thellë në sferën e mbrojtjes, duke demonstruar gadishmërinë e këtyre tre vendeve për inkuadrim të NATO-s në një periudhë të afërt kohore.
"Ne megjithëmend dëshirojmë që përparimi i bërë në rrugën drejt NATO-s të theksohet në samitin e ardhshëm të Aleancës në Stamboll dhe të dërgohet sinjal i fuqishëm se këto vende do të merren parasysh për anëtarësim në zgjerimin e ardhshëm të NATO-s jo më larg se viti 2007," tha Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Vllado Buçkovski, duke lexuar deklaratën e përbashkët të ministrave nënshkrues të Kartës së Adriatikut. Në këtë deklaratë ata kanë vlerësuar lart rezolutën 558 të Kongresit Amerikan, të miratuar në mars të këtij viti, ndërsa kanë shprehur bindjen se rezoluta të ngjashme do të miratohen edhe nga vende të tjera të NATO-s.
Ministrat Pandeli Majko, Borislav Ronçeviç dhe Vllado Buçkovski gjithashtu kanë shprehur gadishmërinë e fortë për të marrë pjesë në luftën globale kundër terrorizmit, ndërsa kanë konfirmuar vendosmërinë për krijimin e një njësiti të përbashkët mjeksor, që të do të dërgohet në Afganistan. Ata po ashtu kanë mbështetur vazhdimin e pranisë së NATO-s në Kosovë dhe përforcimin e institucioneve demokratike atje. Në këtë drejtim Ministri shqipar i Mbrojtjes Pandeli Majko u shpreh :
"Ishte një deklaratë përfundimtare mjaft e pëlqyeshme. Siç e patë u bë një korrigjim tek paragrafi për Kosovën sepse aty ishte vënë përforcimi i institucioneve lokale dhe demokratike. Me ndërhyrje u hoq ajo fjala lokale, sepse lokale mund të ketë edhe keqinterpretim. Dhe çuditërisht është hera e parë që unë nga serbët nuk pashë reagim lidhur me këtë problem, sepse në Bosnje kemi patur debate goxha dhe zhvillimet e fundit tregojnë që ky grup, pra grupi i Adriatikut po konsiderohet si një moment strukturor jo vetëm për t'u integruar në NATO, por si dhe një bazament për krijimin e strukturave të sigurisë në rajon".
Ministrat e Mbrojtjes të Serbisë e Malit të Zi dhe të Bosnje Hercegovinës, ishin në rolin e vëzhguesit.
Ndërkohë duke komentuar samitin e NATO-s në Stamboll ministri Majko u shpreh:
"Samiti i Stambollit thelbësisht nuk është takim ku do merren vendime për anëtarë të rinj. Por normalisht do të promovohen anëtarët e rinj për samitin pasardhës."
Pjesëmarrësit e takimit ministror në Shkup i ka përshëndetur Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Ai në letrën të cilën e lexoi zëvendës-ambasadori i SHBA-ve në Shkup Eleonor Negi, ka theksuar:
"SHBA-të çmojnë kontributin e dhënë nga forcat e shteteve tuaja për misionet në Irak dhe Afganistan. Më herët gjatë këtij viti 7 anëtare të reja ju bashkangjitën Aleancës. Dyert mbeten të hapura dhe për të tjerët. E kuptoj se Shqipëria Kroacia dhe Maqedonia janë duke vazhduar me planet aksionale për anëtarësim dhe reformat e mbrojtjes po ecin përpara. Samiti i Stambollit siguroi një forum për NATO-n për të diskutuar bashkëpunimin e ardhshëm me vendet tuaja," ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, në mesazhin dërguar Ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë.

XS
SM
MD
LG