Ndërlidhjet

PLANI I ZYRËS SË KRYEPARLAMENTARIT DACI, KUNDËRSHTOHET NGA MINISTRI KRASNIQI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, u ka dorëzuar sot institucioneve vendore, atyre ndërkombëtare, si dhe vendeve të Kuintit, propozimin bazë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Sipas këshilltarit politik të kryeparlamentarit Daci, zotit Ramush Tahiri, pushteti lokal në Kosovë ka nevojë për reformim dhe mbi këtë bazë është lansuar ky projekt, i cili ditëve të ardhshme do të shqyrtohet në qarqet vendore dhe ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
"Ky është një propozim bazë, përkatësisht një paraprojekt, që ka të bëjë me reformën e ndarjes administrative të Kosovës dhe reformën e pushtetit lokal në Kosovë. Ideja konsiston në atë që ndarja administrative territoriale e Kosovës është e vjetëruar, nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve. Administrata gjithashtu është shumë burokratike dhe qytetarët nuk munden të realizojnë një sërë të drejtash, pikërisht për shkak të kësaj ndarjeje të keqe territoriale, edhe për shkak të grumbullimit të banorëve dhe numrit dallues të popullisë në secilën komunë veç e veç."
Mirëpo në anën tjetër, në qeverinë e Kosovës, konsiderohet se nuk ka nevojë për një plan të tillë, pasi Ministria e Shërbimeve Publike, është duke punuar në planin për decentralizimin e pushtetit. Sipas ministrit Jakup Krasniqi, i cili kryeson këtë grup, UNMIK-u dhe qeveria e Kosovës së bashku po punojnë dhe do të dalin me planin konkret deri në fund të korrikut. Krasniqi thotë se plani i Dacit, nuk mund të pranohet, sepse sipas tij, ai legalizon enklavat e sotme serbe dhe mund të jetë bazë mbi ndarjen e Kosovës mbi baza etnike.
"Përndryshe mënyra se si po afrohen këto format e decentralizimit, më tepër janë diçka e imituar nga Serbia dhe më tepër shkon në legjitimim të diçkaje që ka kuptim më tepër të një legjitimimi të enklavave, sesa të ofrimit të një decentralizimi në kuptimin më të mirë të fjalës. Mendoj që edhe vetë zyra e Dacit, nuk i ka përgatitjet as profesionale, por as intelektuale, nuk ka as kapacitetet e nevojshme, për të nxjerrë dokumente të kësaj rëndësie".
Me qëndrimin e ministrit Krasniqi nuk pajtohet Ramush Tahiri, i cili thotë se ky është një plan origjinal kosovar, i cili së fundi i është dorëzuar dhe Uashingtonit gjatë vizitës së Dacit në Shtetet e Bashkuara dhe kundërshton idenë e refuzimit, në kohën kur ky projekt është lansuar pa u shqyrtuar ende në detaje.
"Kategorikisht jam kundër asaj që ky dokument ofron kantonizim, përkundrazi mund të flasim për projekte të tjera nga rajoni që importohen në Kosovë, që sjellin një paritet në vendosje, aq më parë dhe një paraprojekt i UNMIK-ut, me të cilin punojnë edhe pjesa e qeverisë tonë si dokument themelor. Ne thjesht pretendojmë që Kosova të ketë tërësinë e vet territoriale, ta ushtrojë pushtetin në gjithë territorin dhe komunat ashtu si kudo në botë, të kenë autoritetin e vet në bazën qytetare jo në bazën nacionale".
Në bazën e projektit të propozuar nga zyra e Dacit thuhet se Kosova duhet të ketë dy njësi territoriale, qytetin dhe komunën. Propozohet që Kosova të ketë 7 qytete si dhe një numër më të madh të komunave, që sipas vlerësimeve të para del që numri i tyre do të ishte deri në 70 apo më tepër komuna në Kosovë. Mirëpo zbatimi i këtyre reformave parashihet të jetë për një afat më të gjatë, pasi sipas zotit Tahiri, decentralizimi nuk mund të shpallet përderisa nuk miratohet në Kuvend dhe derisa qeveria të mos plotësojë dhe bazën ligjore për funksionimin e pushtetit lokal.
Në anën tjetër administrata e UNMIK-ut, nuk është prononcuar sot me arsyetimin se ky projekt po shqyrtohet së pari para se të jepen vlerësime konkrete. Deri më tani projekte për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, kanë paraqitur dhe Këshilli i Evropës, Beogradi dhe qeveria vendore, e cila është në përpunim të planit të saj.



XS
SM
MD
LG