Ndërlidhjet

BAGDAD


Ish lideri i Irakut, Saddam Hussein sot për të parën herë u paraqit në gjyq si i akuzuar. Ai akuzohet për vrasjen e figurave fetare në vitin 1974, për sulmet me gaz kundër kurdëve në Halabxha në vitin 1988, vrasjen e fisit kurd Barzani në vitin 1983, pastaj për vrasjet e anëtarëve të partive politike gjatë 30 viteve të kaluara, për invadimin e Kuvajtit në vitin 1990...Lidhur me akuzën e fundit, Saddam Husseini tha:
-Akuza numër 7 është ajo se Saddam Husseini ishte president i Republikës së Irakut dhe komandant suprem i forcave të armatosura dhe këto forca shkuan në Kuvajt. Kjo do të thotë se kjo u bë në mënyrë zyrtare. Tash a është e pranueshme që akuzat të bëhen kundër asaj që është zyrtare...përfshirë këtu edhe ligjet sipas të cilave ju po e zhvilloni këtë gjykim.

Zëvendës ministri i jashtëm i Irakut, Hamid al-Bayati, u tha sot reporterëve se ky proces do të jetë për akuza për "krime kundër njerëzimit, për krime të luftës, për gjenocid". Ai kërkoi dënimin me vdekje. Mëtutje ai tha:
-Mendoj se irakianët do të jenë të kënaqur me dënimin me vdekje... asgjë më pak se dënim të këtillë.

Është raportuar se Saddam Husseini ka refuzuar ti nënshkruaj dokumentet juridike.Në sallën e gjykimit ishte edhe reporterja e CNN-it, Christiane Amanpour. Ja se si e përshkruajti ajo të akuzuarin Saddam Hussein:
-Ai dukej shumë i dobët. Dukej i lodhur dhe sikur ishte i mposhtur. Pasi u ulë, gjykatësi hetues e pyeti atë për emrin e tij. Ai tha: unë jam Saddam Husseini, president i Irakut.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë ka përshëndetur paraqitjen e Saddam Husseinit në një gjyq irakian. Zëdhënësi Scott McClellan tha se presidenti Bush është i kënaqur që Saddami dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt kanë dalë para drejtësisë nga populli i Irakut. Mëtutje zëdhënësi McClellan tha:
-Regjimi i Saddam Husseinit ishte përgjegjës për mizori kundër popullit të Irakut dhe me këtë hap të sotëm populli i Irakut do të ndihmoj që të mbyllet një kaptinë e zezë në historinë e tyre.
XS
SM
MD
LG