Ndërlidhjet

ËSHTË ARRITUR PAJTUESHMËRI PËR PJESËMARRJEN E SERBËVE NË ZGJEDHJET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të partive më të mëdha politike të shqiptarëve dhe të serbëve në Kosovë janë pajtuar që të angazhohen për krijimin e kushteve për të siguruar pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhjet e tetorit dhe në institucionet e Kosovës. Këto janë konkluzionet e një takimi të përbashkët mbajtur në zyrën amerikane në Prishtinë, me ç’rast, sipas pjesëmarrësve, me qëllim të dëshmimit të përkushtimit për të realizuar procesin e kthimit të të zhvendosurve dhe krijimit të kushteve për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës, është arritur pajtueshmëria edhe për themelimin e një ministrie për pakicat, kthimin dhe integrimin, që në fakt është evoluim në ministri, i zyrës që tashmë ekziston në kuadër të qeverisë.
Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova e quajti takimin mjaft të frytshëm:
"Patëm një takim që e vazhduam nga takimi i kaluar, një takim mjaft i frytshëm dhe konstruktiv dhe për këto çështje si sigurinë, kthimin, rindërtimin dhe çështje të tjera, si dhe rreth një ministrie".
Ndërkaq, kryeministri Bajram Rexhepi tha se takimi i sotëm u hap rrugën shumë proceseve në të ardhmen:
"U diskutua kryesisht rreth procesit të kthimit, për një siguri më të mirë dhe për shumë procese në të ardhmen," tha kryeministri Rexhepi, duke vërtetuar mbështetjen për deklaratën e përbashkët.
Vetë nikoqirja e këtij takimi, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries e quajti të arritur të madhe pajtueshmërinë për dokumentin e përbashkët:
"Patëm një takim shumë të mirë, që u zhvillua në frymën e vullnetit të mirë dhe pjesëmarrësit u pajtuan për dokumentin e përbashkët," tha Marcie Ries. Ndërkohë, me gjithë premtimin, as pas katër orësh dokumenti ende nuk është publikuar.
Sidoqoftë, përfaqësuesi i koalicionit të serbëve "Kthimi" Oliver Ivanoviç, tha se konkluzionet e dokumentit të përbashkët, janë zotimi më serioz i udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe partive politike shqiptare drejtuar bashkësisë serbe:
"Mendoj se këtë herë kemi marrë zotime më të qarta të përfaqësuesve shqiptarë që do të ndërmarrin gjithçka që është në dorën e tyre për ta realizuar kthimin dhe kjo është thënë shumë më sinqerisht dhe shumë më fuqishëm se përpara," tha Ivanoviç.
Rezultate konkrete i quajti konkluzionet e takimit edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi:
"Në kuadër të kësaj hyn procesi i rindërtimit, i zhvillimit ekonomik, i privatizimit, i vazhdimit të kthimit të refugjatëve në shtëpitë dhe pronat e tyre, i gadishmërisë për pjesëmarrje në zgjedhje," tha zoti Thaçi, duke vlerësuar se kjo e bën Kosovën të jetë e përgatitur mirë për t’i hyrë zgjidhjes së statusit final menjëherë pas zgjedhjeve të tetorit.
Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se dokumenti i sotëm krijon mundësitë për pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjedhje:
"Dokumenti i sotëm ka të bëjë me mundësinë dhe hapësirat për pjesëmarrje në procesin politik dhe në procesin e gjithanshëm në Kosovë për pakicat, pra është krijim i kushteve dhe rrethanave për pjesëmarrje edhe në zgjedhje, por edhe në institucionet e Kosovës."
Mirëpo, Ivanoviç tha se me gjithë përparimin e bërë, serbët ende nuk kishin vendosur për pjesëmarrjen apo jo në zgjedhje.
"Ne do të vazhdojmë dialogun dhe kjo krijon klimë të favorshme, nga e cila do të nxirren edhe vendime të mira," tha Ivanoviç, për të shtuar se duhen zgjidhur edhe disa çështje.




XS
SM
MD
LG