Ndërlidhjet

MOSGJETJA E FONDEVE PASOJË E MUNGESËS SË VIZIONIT EKONOMIK


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane dhe transatlantike, Kosovës i duhet një potencial financiar, i cili nuk mund të sigurohet pa pasur një vizion të qartë, i cili aktualisht mungon, është thënë sot në Mitrovicë, në një konferencë të Grupit Ekonomik për Strategji dhe Identifikim të Projekteve, një organizëm ky i përbashkët i formuar nga qeveria e Kosovës dhe shtylla e katërt e UNMIK-ut.
Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha me këtë rast se Kosova ka nevoja të dëshmuara për të bërë investime në përmirësimin e infrastrukturës dhe pjesëve të tjera të sektorit publik, si dhe për krijimin e kushteve optimale për rritjen dhe zhvillimin e sektorit privat:
"Megjithatë, duke marrë parasysh rënien drastike të donacioneve, mungesën e një tregu të zhvilluar financiar, privimin nga kreditë e huaja deri tani dhe barrierat e tjera, Kosova gjithnjë e më shumë po e ndien mungesën e potencialit financiar që mundëson financimin e projekteve të nevojshme".
Mirëpo, koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Kosovën Besim Beqaj, tha se Kosova nuk mund të sigurojë investimet e huaja, aq të nevojshme, pa hartuar dhe zhvilluar një vizion të qartë për prioritetet dhe për strategjinë e zhvillimit:
"Gjendja reale tregon se Kosova për momentin nuk është tërheqëse, prandaj qëllimet duhet të jenë se si dhe çfarë aktivitetesh duhet të ndërmarrë qeveria e Kosovës për të bërë tërheqjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Definitivisht është e qartë se Kosova ka përjetuar regresion ekonomik dhe situata nuk mund të ndryshohet, nëse nuk krijojmë ambjent për tërheqjen e investimeve të huaja."
Beqaj tha se problemi kryesor është të krijojmë një vizion të qartë se çfarë do të bëjmë, ndërkohë që privatizimi është vetëm njëri nga problemet me të cilat përballet Kosova
Përfaqësuesi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Andreas Witkowski tha se të gjithë në UNMIK pajtohen se integrimi evropian është e ardhmja e Kosovës:
"Vizioni për Kosovën është vision evropian, ndërsa rruga përpara është ajo drejt Evropës. Ne e mirëpresim këtë, e dimë se nuk është e lehtë, por njëkohësisht e dimë se është e mundshme," tha Witkowski, sipas të cilit çështja urgjente dhe e duhur është identifikimi i rrugëve për ta realizuar këtë vision.
Një nga vizionet, sipas kryeministrit Rexhepi është edhe përmbushja e standardeve:
"Në kontekst të përgjithshëm, strategjia për zhvillim duhet të jetë në përputhshmëri me arritjen e standardeve, duhet të orientojë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian dhe strukturave transatlantike dhe të sigurojë krijimin e mundësive të reja për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dalllim kombësie, feje moshe apo gjinie," tha kryeministri Rexhepi, duke shtuar se një strategji e mirë së pari do të identifikonte prioritetet.
Ndërkaq, sipas zotit Besim Beqaj, që njëkohësisht është edhe këshilltar i kryeministrit, Kosova duhet ta ndërtojë vizionin në bazë të specifikave që ka:
"Të gjitha vendet e rajonit kanë një vizion për integrimet ekonomike në rajon dhe drejt Evropës dhe një vizion i tillë do të jetë kompatibil me vendet e tjera të Evropës. Kjo do të thotë se ky vizion do të jetë i përafërt me vizionet e vendeve të tjera të rajonit, duke pasur parasysh resurset dhe problemet që ka Kosova."
Grupi më shumë i njohur si ESPIG është formuar me qëllim të identifikimit të problemeve dhe prioriteteve ekonomike të Kosovës, me qëllim të krijimit të një vizioni për të ardhmen e Kosovës.




XS
SM
MD
LG