Ndërlidhjet

logo-print

KËRSTOVIQ: SERBËT E KOSOVËS TË HUTUAR NGA SINJALET KUNDËRTHËNËSE NGA BEOGRADI


Pavarësisht nga thirrjet e Bashkimit Evropian dhe vërejtjet e OSBE-së se afati po skadon, serbët e Kosovës ende nuk kanë një vendim të qartë nëse do të marrin pjesë apo jo në zgjedhjet e Kosovës. Ndërsa politikanët vendorë serbë thonë se ky vendim do të merret në Beograd, zyrtarët e atjeshëm kanë dërguar sinjale të kundërta lidhur me këtë çështje. Nga ana tjetër OSBE-ja ka thënë se 12 gushti, dita kur do të hidhet shorti për renditjen e partive politike në fletëvotime është edhe afati i fundit për serbët që të vendosin për këtë çështje.
Dragisha Kërstoviq, shef i koalicionit “Kthimi” tha se qëndrimet e ndryshme të Beogradit zyrtar jo vetëm që nuk kanë qartësuar pozicionin lidhur me zgjedhjet, por kanë bërë të kundërtën.
"Udhëheqja politike e serbëve të Kosovës është e hutuar nga fakti se qeveria e Serbisë ka kërkuar të mos dilet në zgjedhje deri sa të pranohet plani i qeverisë së Serbisë, ndërsa ministri i jashtëm Drashkoviq ka dërguar rekomandime krejtësisht të tjera", tha Kërstoviq, për të shtuar se serbët e Kosovës megjithatë do ta respektojnë qëndrimin e autoriteteve të Serbisë.
Ndërkohë, Rada Trajkoviq, deputete e koalicionit "Kthimi" mendon se serbët nuk duhet të marrin pjesë në zgjedhje, përderisa nuk pranohet plani i qeverisë së Serbisë për autonominë territoriale të serbëve në Kosovë, pasi sipas saj, institucionet e Kosovës nuk u ofrojnë mbrojtje serbëve.
"Nga këto institucione, serbët më nuk kërkojnë fare mbrojtje institucionale", tha Rada Trajkoviq, sipas të cilës njëra nga arsyet është se serbët jetojnë nëpër qytete ku siguria është shumë problem, ndërsa arsyeja tjetër është se edhe nëse arrijnë tek ato institucione, ata nuk mund të marrin të drejtat institucionale.
"Vërtet nuk kemi se çfarë të humbim, ndërsa dalja në zgjedhje me këto kushte për ne është përmbushje e synimeve të bashkësisë ndërkombëtare që të thonë se në Kosovë ka institucione shumetnike, pavarësisht se ato nuk janë në funksion të mbrojtjes së pakicave", tha Trajkoviq, sipas të cilës kjo do t’u ndihmonte shqiptarëve që t’i kenë serbët dekor në institucione. Prandaj, thotë ajo, fati i daljes së serbëve në zgjedhje është në duart e bashkësisë ndërkombëtare, që të sigurojë mbrojtjen institucionale të pakicave përmes pranimit të planit të qeverisë së Serbisë për autonominë territoriale të serbëve në Kosovë
Zoti Kërstoviq, ndërkohë mendon se të gjitha opcionet janë të hapura dhe vendimi përfundimtar nuk është marrë.
"Unë megjithatë jam më afër opcionit që pjesëmarrja në institucione është mundësi që në kuadër të institucioneve të merret pjesë në marrjen e vendimeve", tha Dragisha Kërstoviq.
Zyrtarët e OSBE-së që merren me organizimin e zgjedhjeve dhe ngritjen e institucioneve kanë thënë se nuk përjashtohet asnjë skenar lidhur me pjesëmarrjen apo jo të serbëve në zgjedhje, mirëpo sipas tyre çfarëdo qoftë realiteti në Kosovë në vitin 2004, ai nuk është i njëjtë si në vitin 2001, kur ata kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG