Ndërlidhjet

ZËDHËNËSI KAKUK: UNMIKU DHE INSTITUCIONET E KOSOVËS E KANË PLANIN E TYRE TË DECENTRALIZIMIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë propozimet e Beogradit, që pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje, të kushtëzohet me negociatat për planin e qeverisë së Serbisë për Kosovën. Kështu kanë deklaruar zyrtarë të UNMIK-ut dhe të qeverisë së Kosovës duke porositur serbët se Kosova e ka planin e saj të decentralizimit dhe se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje është në të mirën e vetë serbëve.

Kosova e ka planin e saj të decentralizimit, prandaj nuk ka nevojë që të diskutohet plani i qeverisë së Serbisë për Kosovën, kanë deklaruar sot për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të UNMIK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës. Këto deklarime kanë pasuar një kërkesë të djeshme të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq që UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës të fillojnë negociata serioze për planin e qeverisë së Serbisë për autonominë territoriale të serbëve në Kosovë, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e tetorit.

- UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës e kanë planin e tyre të decentralizimit, i cili do të diskutohjet në nivele më të larta, mirëpo, ne e kemi planin tonë, tha zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Georgy Kakuk, sipas të cilit, decentralizimi dhe reforma e pushtetit lokal është një çështje vendore e Kosovës. Ndërkaq, Mimoza Kusari, zëdhënëse e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi tha se propozimet e tilla nga Beogradi janë krejtësisht të papranueshme për qeverinë:

- Kjo është plotësisht e papranueshme për institucionet e Kosovës. Në zyrën e kryeministrit mendojmë se një kushtëzim i tillë nuk vlenë, pasi tashmë ekziston një grup punues në kuadër të Kosovës, i njohur ndërkombëtarisht, për reformën e pushtetit lokal. Në këtë grup punues kanë marrë pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kanë pasur dhe do të kenë rastin të japin idetë e tyre, që do të diskutohen për këtë reformë.

Autoritetet në Beograd u kanë rekomanduar serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës përderisa nuk pranohet plani i qeverisë së Serbisë për decentralizimin e Kosovës, ndërkohë që ministri i jashtëm i Unionit Serbi- Mali i Zi, Vuk Drashkoviq ka thënë se serbët duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Zëdhënësi i UNMIK-ut Kakuk, ndërkaq, tha:

- Shihet se Beogradi se nuk ka një linjë të qartë lidhur me këtë çështje, por qëndrimi ynë është, siç e kemi bërë të qartë gjithëherë, se është me rëndësi esenciale që serbët të jenë pjesëmarrës të plotë në procesin politik në Kosovë.

Zëdhënësja Mimoza Kusari tha se serbët e Kosovës duhet të heqin dorë nga politika e kërcënimeve dhe e kushtëzimeve:

- Pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje do të jetë krejtësisht për të mirën e tyre, pasi ata do të kenë mundësinë që të inkuadrohen në institucionet e Kosovës në mënyrën më demokratike dhe të propozojnë ndryshimet të cilat ata mendojnë se janë të dobishme për ta, në mënyrë institucionale dhe jo si deri më tash, jashtë sisitemit, me sisteme paralele, kushtëzime dhe kërcënime ndaj institucioneve të Kosoëvs.

Zëdhënësja Kusari tha se as UNMIK-u nuk duhet të bjerë në sfidat e kushtëzimeve nga komuniteti serb, pasi këto janë lojëra politike që vijnë dhe janë të dirigjuara nga Beogradi. Zyrtarët e UNMIK-ut ndërkaq kanë thënë se një nga mundësitë që të diskutohet për decentralizimin është vazhdimi i bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që patën filluar vjeshtën e shkuar në Vjenë.
XS
SM
MD
LG