Ndërlidhjet

BUÇKOVSKI: MAQEDONIA ËSHTË E INTERESUAR PËR ZGJIDHJEN SA MË TË SHPEJTË TË STATUSIT TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Maqedonia është e interesuar për zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës dhe do ta pranojë secilën marrëveshje që do të arrihet lidhur me statusin, ka thënë sot në Prishtinë Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Vlado Buçkovski, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen ka thënë se Maqedonia do të përfitojë nga statusi i zgjidhur përfundimtar i Kosovës.
Këto deklarata janë bërë sot në Prishtinë pas takimeve që Ministri maqedonas i Mbrojtjes ka pasur me shefin e UNMIK-ut, Jessen Petersen dhe me kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi.
"Ne do ta përkrahim secilën zgjidhje që do të arrihet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësim ndërkombëtar për statusin e Kosovës, zgjidhje e cila do të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë," tha Buçkovski, sipas të cilit zgjidhja më e shpejtë e statusit të Kosovës është në interesin e Maqedonisë, e cila dëshiron të ketë një fqinjësi stabile.
Edhe shefi i UNMIK-ut Petersen, duke përsëritur tezën e tij se statusi i Kosovës është copëza e fundit e pazgjidhur e mozaikut të jostabilitetit ballkanik, tha se qartësimi është edhe interes i Maqedonisë:
"Nga qartësimi i statusit të Kosovës do të përfitojë edhe Maqedonia dhe në anën tjetër, duke parë disa shembuj pozitivë në Maqedoni, do të përfitojë edhe Kosova," tha Jessen Petersen, i bindur për të ardhmen e mirë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, që nuk do ta rrezikojë as referendumi kundër decentralizimit, pasi siç tha Buçkovski, Maqedonia që ka ditur të kalojë disa provime të vështira do ta kalojë edhe këtë, duke dëshmuar orientimin evroatlantik.
Pas takimit me kryeministrin Rexhepi, ministri Buçkovski tha se synimi strategjik i të gjitha vendeve të rajonit ishte integrimi në strukturat evropiane dhe në NATO:
"Në rajon më nuk ekzistojnë idetë shtetomëdha. Nuk ekzistojnë më ëndrrat për Kosovën e Madhe apo për Shqipërinë e madhe dhe dua t’i siguroj të gjithë qëllimmirët se është kështu, pasi te të gjithë ne ekziston vetëm ëndrra për Evropën e Madhe," tha Buçkovski, sipas të cili Evropa e madhe, në kuptim të integrimit të rajonit në strukturat evroatlantike, do të jetë ilaçi për të gjitha frustrimet në rajon.
Një çështje e pashmangshme në takimet e sotme ishte edhe shenjimi i kufirit ndërmjet Kosoëvs dhe Maqedonisë. Ndërsa Buçkovski tha se demarkimi nuk është problem i përmbajtjes, por i formës, kryeministri Rexhepi tha se çështja e kufirit nuk do të jetë mollë sherri dhe se shenjimi i pjesës së pakontestueshme të kufirit mund të fillojë pa probleme, ndërkohë që duhen zhviluar bisedime lidhur me rajonin e Debëlldesë, ku sipas një marrëveshjeje ndërmjet Shkupit dhe Beogradit, Maqedonisë i janë dhënë rreth 25 hektarë të tokës së Kosovës:
"Për çështjet e Debëlldesë edhe më parë jemi deklaruar se do të ulemi, grupet ekspertëve të të dyja palëve, me një ndëmjetësim ose ndihmë logjistike të SHBA-ve apo të BE-së për një zgjidhje optimale ndërmjet dy vendeve."
Edhe kryeadministratori Jessen Petersen i ka premtuar mysafirit të tij nga Maqedonia se çështja e kufirit do të zgjidhet:
"Kjo çështje nuk do të lihet e pazgjidhur deri në kohën kur do të përcaktohet statusi përfundimtar i Kosovës," tha Jessen Petersen, duke e parë këtë vetëm si një çështje kohe dhe jo problem thelbësor, siç u shpreh ai.

XS
SM
MD
LG