Ndërlidhjet

UNMIK HEDH POSHTË LETRËN E TADIÇ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Letra e hapur e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiç, dërguar kryeadministratorit të Kosovës Soren Jessen Petersen, përmban shumë pasaktësi dhe nuk reflekton drejt situatën aktuale në Kosovë dhe hapat që po ndërmerr UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës për përmirësimin e situatës së përgjithshme në Kosovë, thuhet në reagimin e UNMIK-ut ndaj letrës së kryetarit të Serbisë, Tadiç.
Zëdhënësi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Jeff Bieley, tha se për UNMIK-un janë të papranueshme kritikat e zotit Tadiç lidhur me sigurinë:
"Për përfaqësuesin special dhe për UNMIK-un, siguria e përgjithshme është çështje e shqetësimeve thelbësore, ndërkaq, siguria është baza e të gjitha masave që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare," tha Bieley, për të shtuar se ka pasur një rënie të dukshme të krimeve në Kosovë që nga trazirat e marsit e sidomos rënie e madhe është shënuar në incidentet ndëretnike:
"Përderisa UNMIK-u i kupton plotësisht brengosjet për sigurinë, letra e presidentit Tadiç përmban shumë elemente që nuk reflektojnë në mënyrë besnike hapat e ndërmarrë nga UNMIK-u, pasi që nga marsi situata është përmirësuar dukshëm," tha zëdhënësi Bieley, duke numëruar pasaktësitë në letrën e kryetarit serb Tadiç dërguar kryeadministratorit Jessen Petersen të dielën. Tadiç në atë letër thotë se Jessen Petersen mund të bëhet përgjegjës për heqje dorë nga multietniciteti, në rast se nuk merret me ndriçimin e trazirave të marsit. Mirëpo, UNMIK-u i ka thënë zotit Tadiç se po bëhen hetime të hollësishme lidhur me marsin dhe deri më tani disa shqiptarë janë akuzuar dhe ndaj të tjerëve po zhvillohen hetime lidhur me trazirat e marsit. UNMIK-u po ashtu ka hedhur poshtë pohimet e zotit Tadiç se në Kosovë gjatë pesë viteve janë vrarë 1500 serbë:
"Shifra prej 1500 serbësh të vrarë që nga viti 1999 është e pasaktë. Shifra është rreth 260 serbë të vrarë, prej të cilëve 150 janë vrarë nga qershori deri në dhjetor të vitit 1999, ndërsa shifra ka rënë, për të zbritur në 12 këtë vit, 9 prej të cilëve vetëm në trazirat e marsit," tha Bieley, duke shtuar se UNMIK-u përveç të tjerash ka çmuar edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për përmirësimin e situatës së përgjithshme dhe për ndërtimin e klimës së dialogut ndërmjet komuniteteve:
"UNMIK-u e çmon angazhimin e institucioneve vendore dhe sidomos të kryeministrit Rexhepi për rindërtimin e objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara gjatë trazirave të marsit, ashtu si edhe hapat e ndërmarrë nga të gjitha komunitetet për të nisur procesin e dialogut," tha Bieley, duke cituar letrën e UNMIK-ut si përgjigje ndaj akuzave të kryetarit të Serbisë Tadiç, në adresë të kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen.


XS
SM
MD
LG