Ndërlidhjet

BUSH MBAN FJALIMIN VJETOR NË ASAMBLENË E PËRGJITHSHME TË OKB-së


Në fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, presidenti amerikan Xhorxh Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah popujve të Irakut dhe Afganistanit, derisa atyre t'u plotësohet dëshira për liri dhe siguri.
"Populli amerikan e respekton idealizmin, që i dha jetën kësaj organizate. I respektojmë të gjithë në Kombet e Bashkuara që angazhohen për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë", tha presidenti Bush, për të shtuar:
"E dimë se diktatorët janë të shpejtë në zgjedhjen e agresionit, ndërsa popujt e lirë synojnë që dallimet t'i zgjidhin në paqe. E dimë se qeveritë shtypëse e mbështesin terrorin, ndërsa qeveritë e lira i luftojnë terroristët atje ku janë. E dimë se njerëzit e lirë e përqafojnë progresin dhe jetën, në vend që të bëhen rekrutë të ideologjive vrasëse", vazhdoi Bush, duke përkujtuar rastin e fundit tragjik në Osetinë Veriore.
"Këtë muaj në Beslan, edhe një herë pamë se terroristët e masin suksesin me vdekjen e njerëzve të pafajshëm dhe dhimbjen e familjeve të tyre.
"Fëmijët rusë asgjë nuk bënë për të merituar vuajtjet aq të dhimbshme, tmerrin dhe vdekjen. As banorët e Madridit dhe Jerusalemit, Stambollit dhe Bagdadit nuk bënë asgjë që të fitojnë vdekjen e papritur. Këto akte dhune i shkelin standardet e drejtësisë të të gjitha kulturave dhe parimet e gjithë religjioneve. Në këtë luftë, popujt e qytetëruar janë së bashku dhe duhet t'i mundin këta vrasës", theksoi presidenti Bush, i cili në vazhdim foli për gjendjen në Irak dhe Afganistan.
"Sot popujt irakienë dhe afganë janë në rrugën e demokracisë dhe lirisë. Qeveritë që ngrihen atje, nuk paraqesin kërcënim për të tjerët. Në vend që t'i strehojnë terroristët, ato i luftojnë grupet terroriste.
Ne mund të presim që sulmet terroriste në Afganistan dhe Irak të shkallëzohen, me afrimin e zgjedhjeve. Na pret mjaft punë, por këto vështirësi nuk do ta lëkundin bindjen tonë se ardhmëria e Afganistanit dhe Irakut është ardhmëri e lirisë. Përgjigja e drejtë ndaj vështirësisë nuk është zbrapsja, por mundja e saj", tha presidenti Bush.
Në vazhdim ai foli edhe për Lindjen e Mesme.
"Izraeli duhet ta pezullojë kolonizimin, t'i shpërbëjë vendbanimet e ngritura pa leje, t'i japë fund përbuzjes së popullit palestinez dhe të shmangë çfarëdo aksioni që do t'i paragjykojë negociatat përfundimtare. Ndërsa liderët botërorë duhet të mos e mbështesin më sundimtarin palestinez, i cili i merr në qafë njerëzit e tij dhe e tradhton kauzën e tyre", tha Bush, duke u bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të vazhdojnë t'i mbështesin demokracitë e reja.
"Liria e gjen rrugën e vet në Irak dhe Afganistan dhe ne duhet ta shfaqim përkushtimin tonë për demokracitë e këtyre popujve. Liria, që u fitua shtrenjtë, duhet të ruhet", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush në fjalimin vjetor në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

XS
SM
MD
LG