Ndërlidhjet

logo-print

ZENELI: ZGJEDHJET NË KOSOVË NUK MBAHEN NË KUSHTE NORMALE


BERNARD ZENELI, analist politik

Evropa e Lirë
Zoti Zeneli, serbët e Kosovës janë në pritje të një vendimi të Beogradit për pjesëmarrjen e tyre në votimet e 23 tetorit. Cilat do të jenë efektet e vendimit pro apo kundër zgjedhjeve?

Bernard Zeneli
Në qoftë se në Beograd do të merret një vendim pro, unë do ta shihja atë si një formë të rënies së ndikimit të Beogradit në marrëdhëniet ndërkombëtare sa i përket Kosovës, dhe në të njëjtën kohë si një rënie lidhur me zhvillimet e reja që po ndodhin në Kosovë. Deri më tash në Beograd ka patur një formë të mospërfilljes për të gjitha zhvillimet që po ndodhin në Kosovë, ose më saktë një mospërfillje në dukje.
Dhe, me një thënie pro do të duket ose do të jepet sinjali se ka ndryshime. Me një vendim kundër pjesëmarrjes në zgjedhje, unë nuk shoh se do të ketë ndonjë ndryshim të madh, pasi deri më tash pjesa më e madhe e vendimeve që kanë të bëjnë me integrimin e serbëve të Kosovës nga ana e Beogradit, në përgjithësi janë parë me një këndvështrim negativ. Kështu që, unë këtë do ta quaja thjesht diçka të radhës. Ajo që do të kishte interes, do të ishte pjesëmarrja e tyre në zgjedhje, dhe jo mospjesëmarrja.

Evropa e Lirë
Që në fillim të fushatës parazgjedhore, zoti Solana tha në Prishtinë se fushata dhe vetë zgjedhjet që duhet të jenë të qeta, duhet të pasohen nga konstituimi efikas i institucioneve. Sa është kjo e rëndësishme, sipas jush?

Bernard Zeneli
Duhet të kemi parasysh se këto zgjdhje nuk janë zgjedhje që zhvillohen në kushte normale. Kosova bën një lloj përjashtimi edhe sa u përket zgjedhjeve. Domethënë në Kosovë votohet, por pa e ditur mirë se për kë votohet, pra nuk është i qartë shteti, por deri diku janë të qarta institucionet që nesër ose pasnesër do të krijojnë një shtet pa e ditur se çfarë forme do të ketë ai. Shikuar në këtë aspekt, kur votohet për institucione apo kur njerëzit që janë futur në fushatë gjithnjë e më tepër predikojnë fuqizimin e institucioneve, unë do të thosha se thënia e Solanës fiton një peshë të veçantë, pikërisht nga fakti se me konstituimin e këtyre institucioneve në mënyrë sa më legjitime, do të hapej një shteg i ri, ose shtigjet që janë hapur për krijimin e themeleve të forta të një shteti të ardhshëm kosovar, do të zgjeroheshin më tej.

Evropa e Lirë
Si duhet të duket qeveria e re, apo sa ka funksionuar bashkëqeverisja. A duhet të vazhdojë kjo mënyrë e bashkëqeverisjes?

Bernard Zeneli
Deri më tash, vetëm me një shikim dhe jo duke parë hulumtimet që janë bërë, unë vërej se nuk ka ndonjë prirje shumë të qartë për krijimin e koalicioneve, pra kjo prirje nuk ekziston. Duket se bashkësisë ndërkombëtare i intereson një bashkëqeverisje totale e të gjitha grupeve në Kosovë dhe kjo e ka një shpjegim shumë të mirë. Mendoj se nuk është e rastit se duhet të marrin pjesë të gjitha palët, sepse nuk është krijuar shteti, është ende herët të flasësh për një opozitë të qartë ose për krijime grupesh të ndryshme të koalicionit, kur nuk e ke të qartë cili do të jetë produkti final.
Pra, në këtë aspekt unë do të thosha se është shumë vështirë të bëhet një parashikim i qartë i qeverisjes pa ditur mirë se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve. Sa i përket funksionimit ose mosfunksionimit të kësaj qeverisjeje që ka pasur deri më tash Kosova, do të thosha se ka qenë një zgejdhje e arnuar, thjesht për të krijuar një imazh që në Kosovë të gjitha grupet politike janë të interesuara për të ndërtuar institucione. Nga kjo pikëpamje, unë do të thosha se ka pasur një lloj funksionimi. Por, nga ana tjetër, po t’i hysh një analize më të thellë, do të vija re se në qeverinë që ka pasur Kosova, ministritë janë sjellë shumë të pavarura, pra kanë pasur më tepër pavarësi nga zyra e kryeministrit, seç do të duhej të kishin në çfarëdo sistemi politik. Kjo ka krijuar, për mendimin tim, grupe të legjitimitetit, ose grupe të rëndesës së pushtetit politik jashtë një institucioni qendror, siç mund të ishte ekzekutivi në këtë rast, i përfaqësuar nga kryeministria. Pra, nuk ka pasur një koalicion të vërtetë, por ka pasur një lloj marrëveshje xhentelmenësh, e cila vazhdoi si e tillë.

Evropa e Lirë
E përmendët prirjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për të pasur një bashkëqeverisje të vazhdueshme në Kosovë. A mendoni se fakti që statusi i Kosovës pritet të fillojë të përcaktohet në vitin 2005, do të ketë ndikim në kompozimin e qeverisë së re?

Bernard Zeneli
Unë, në fakt do të thosha se shumë më e rëndësishme se kjo periudhë zgjedhjesh është vera e vitit 2005. Këtu kemi të bëjmë me dy lloj konceptesh. Në radhë të parë do të thoja se në Ballkan, teoritë e konspiracionit kanë terren shumë të lirë. E kam fjalën për thëniet e llojit "ç’na duhet neve, ne nuk vendosim, është bota ajo që vendos për ne“. Kjo është shumë e keqe, sepse e bën qytetarin tërësisht të papërgjegjshëm kundrejt vendimeve që do të merren. Thashë, për mua nuk kanë shumë rëndësi këto votime, sa ka viti 2005. E parë prapë në këtë vështrim, luhet me kartën „prit se njerëzit që do të zgjidhen do të jenë ata që do të jenë në gjendje të ulen në biseda dhe të vendosin për fatin e Kosovës“. Kjo është njëra formë e të menduarit, por ka edhe formë tjetër, që unë do ta quaja më racionale, e cila do të thosha se ndikohet shumë nga legjitimiteti që vjen nga poshtë, nga masa. Kushdo që të vijë në pushtet duhet ta lexojë mirë votën që i jepet, pasi mua ma merr mendja se kjo ka lidhje të drejtpërderjtë më 2005-ën. Po të shihet fushata deri më tash, do të vihet deri te një element shumë interesant – shtet ose pavarësi plus. Pra, çdo parti politike, përveç konceptit të shtetit apo të pavarësisë, ofron edhe diçka tjetër. Kështu që, më duket se të gjitha forcat politike janë ndërgjegjësuar se nuk është mjaftueshme të premtosh vetëm pavarësinë ose shtetin, por edhe diçka tjetër. Kjo diçka tjetër, ma merr mendja, do t'i përcaktojë edhe figurat që do të jenë në qeverisjen e re. A do të shkohet me legjitimitetin që ofrojnë zgjedhësit apo do të shkohet me ndonjë vendim politik, siç është marrë der më tash në kancelaritë e ndryshme evropiane, tash është vështirë për t’u thënë.

Evropa e Lirë
Gjykuar nga zhvillimet e deritashme, cilat janë gjasat që të përmbushen standardet, së paku ato prioritaret, përpara mesit të vitit 2005?

Bernard Zeneli
Në fakt, unë sapo kam filluar një studim të vogël për atë se ku jemi me ato tetë standardet e famshme dhe me planin për arritjen e tyre. Nuk më duket se është bërë shumë dhe që në fillim ne e patëm thënë, jo vetëm unë, por një pjesë e mirë e analistëve dhe politikologëve në Kosovë, se ato janë pjesë e demagogjisë për të ndryshuar diçka. Unë do të shikoja përmbushje të vërtetë të standardeve vetëm atëherë kur komuniteti ndërkombëtar t’i merrte më seriozisht vetë standardet. Aty ka një rënie të punës edhe të komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht pas shokut që morën pas dorëheqjes së Harri Holkerit. Prej atëherë e deri më tash, me konstituiminm e grupit të ri të UNMIK-ut, çështja e standardeve sikur ka kaluar në plan të dytë. Unë do të marr vetëm një shembull të vogël. Supozohej se brenda këtij viti do të fillojë magjistratura në gazetari dhe nuk është bërë asnjë hap. Ky është një standard tepër i vogël, por megjithatë shumë i rëndësishëm duke parë se çfarë ndodhi në mars. Na takon neve dhe medias që këtë prapë ta sjellë në qendër të vëmendjes, përderisa ai është konsideruar si një kusht i rëndësishëm për të ulur në tryezë deri në mesin e vitit 2005.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG