Ndërlidhjet

SUBJEKTET POLITIKE TË BOSHNJAKËVE DHE GORANËVE VAZHDOJNË FUSHATËN ZGJEDHORE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në zgjedhjet e përgjithshme të cilat do të mbahen më 23 tetor në Kosovë do të marrin pjesë edhe katër subjekte politike, të cilat do t'i përfaqësojnë bashkësitë etnike të boshnjakëve dhe të goranëve. Partia e Aksionit Demokratik të Kosovës, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte bartëse e listës së koalicionit "Vatan", në zgjedhjet e tetorit do të marrë pjesë si subjekt i pavarur dhe ajo do të angazhohet në ato që parashihen në programin e saj politik prej 15 vjetësh të egzistencës së saj, thotë Numan Baliç, kryetar i kësaj partie.
"Do të vazhdojmë të punojmë për sigurinë e përgjithshme të të gjithë banorëve, e posaçërisht të bashkësive të pakicave, duke përfshirë edhe të drejtën për kthimin e të gjitha bashkësive, të drejtën për pasurinë, të drejtën për lëvizje të lirë dhe të drejtat njerëzore elementare, në kuadër të të drejtave të cilat egzistojnë në të gjitha institucionet demokratike në Evropë dhe në botë," tha zoti Baliç, duke shtuar se Partia Aksioni Demokratik do të ketë angazhim të posaçëm edhe për arsimin e lartë.
Koalicioni "Vakat" si subjekt i ri politik, në përbërjen e re të parlamentit të Kosovës do të angazhohet për afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të boshnjakëve dhe goranëve, kthimin e tyre në vendet ku kanë jetuar deri para luftës dhe kthimin e pasurisë, thotë njëri nga liderët e këtij koalicioni Sadik Idrizi.
"Do të angazhohemi për hapjen e shkollave të larta për pjesëtarët e bashkësisë sonë, sepse pas luftës së vitit 1999, shumë prej studentëve tanë kanë mbetur pa mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre. Gjithashtu do të angazhohemi për realizimin e të drejtave në media, përfaqësimin adekuat në të gjitha strukturat, punësimin dhe përfaqësimin në të gjitha sferat e jetës", tha zoti Idrizi. Ndërkaq partia boshnjake Aksioni Demokratik i Kosovës, sipas kryetarit të kësaj partie Hilmo Kandiç, do të angazhohet për ruajtjen e unitetit multietnik të Kosovës dhe do të kultivojë marrëdhëniet e mira me përfaqësuesit e bashkësisë më të madhe të Kosovës. Ai theksoi se do të ketë angazhim të veçantë për arsimin.
"Arsimi është me shumë rëndësi jo vetëm për bashkësinë tonë, por për të gjitha bashkësitë në Kosovë. Para së gjithash arsimi i lartë, ku deri tani është arritur shumë pak, pastaj mbrojtja e standardeve sociale dhe shëndetësore, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, si dhe ajo që është problemi, jo vetëm për bashkësinë tonë, por për të gjithë qytetarët e Kosovës, përqindja e përfaqësimit të bashkësisë sonë në të gjitha nivelet, duke filluar nga ai lokal edhe më lartë," tha zoti Kandiç.
Ndërsa Iniciativa Qytetare e Gorës pret që në këto zgjedhje të fitojë vendin e rezervuar për bashkësinë gorane në Kuvendin e Kosovës, thotë kryetari i kësaj inciative Rustem Ibishi.
"Ne do të angazhohemi për mbrojtjen e atyre që kanë qëndruar në Kosovë, për integrimin e tyre të shpejtë si dhe për kthimin e personave të zhvendosur, përkatësisht krijimin e kushteve ekonomike të qëndrueshme për kthimin e tyre", tha zoti Ibishi.
Ndryshe, bashkësia e boshnjakëve dhe e goranëve në përbërjen e deritanishme të Kuvendit të Kosovës kanë patur 5 deputetë, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të deputetëve të ashtuquajtur "bashkësi të tjera" dhe sipas vlerësimeve të përgjithshme në mënyrë të suksesshme kanë përfaqësuar këto bashkësi në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës.

XS
SM
MD
LG