Ndërlidhjet

LDK PËRFUNDON FUSHATËN PARAZGJEDHORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur sot fushatën e saj për zgjedhjet e 23 tetorit, me një tubim të mbajtur në Prishtinë. Me moton " Liri, Pavarësi, Demokraci", po e përmbyllim dhe këtë fushatë ka thënë kryetari i kësaj partie Ibrahim Rugova. Ai tha se LDK-ja angazhohet për të fituar një shumicë absolute në zgjedhje, që do t'i mundësonte asaj udhëheqjen e institucioneve të ardhshme të Kosovës.
"LDK-ja është e bindur se do të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e përgjithshme 2004, për t'i udhëhequr institucionet qëndrore shtetërore. LDK-ja dhe për mandatin e ardhshëm katër vjeçar garanton presidencë reprezentative, që shpreh unitetin e popullit, parlament demokratik dhe qeveri të kompletuar me të gjitha ministritë," tha Rugova.
Ndërkohë në platformën e vet politike, Rugova tha se LDK-ja ka objektiv madhor njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Kurse në politikat e brendshme ai përmendi zhvillimin ekonomik, zhvillimin e arsimit dhe zbutjen e gjendjes së rëndë sociale.
" LDK-ja do të punojë më shumë në zhvillimin e një ekonomie të fortë konkurente, të vazhdojë privatizimin, të forcohet sektori privat dhe të zbatohet ligji për koncesione, që është moment i ri për investime të reja në Kosovë. Përmes zhvillimit ekonomik LDK do të punojë për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë e Kosovës", tha Ibrahim Rugova.
Integrimet e brendshme dhe pozita e pakicave u prekën gjithashtu në fjalimin e Rugovës në këtë tubim përmbyllës.
"E themi me vendosmëri të plotë se LDK-ja do të garantojë dhe mbrojë grupet etnike, minoritetet si dhe integrimin e tyre në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. LDK-ja do të punojë më shumë në integrimin administrativ ekonomik të qytetit të Mitrovicës dhe për një qarkullim të lirë në gjithë territorin e vendit tonë", tha Rugova.
Gjatë kësaj fushate sipas kryetarit të LDK-së, kjo parti ka mbajtur rreth 1000 tubime parazgjedhore. Pas zgjedhjeve të kaluara Lidhja Demokratike e Kosovës udhëhoqi për tre vite me postin e presidentit të Kosovës, mbajti 47 mandate në parlament dhe drejtoi 4 ministri në kuadër të qeverisë së koalicionit të gjerë.




XS
SM
MD
LG