Ndërlidhjet

logo-print

WHYTE: PROBLEMI QËNDRON NË FAKTIN SE NUK KA NJË PROCES TË SPONSORIZUAR NGA NDËRKOMBËTARËT


Nicholas Whyte, drejtor për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, si i shihni zgjedhjet e së shtunës në Kosovë?

NICHOLAS WHYTE
Dy gjërat më kryesore janë bojkotimi i zgjedhjeve në Kosovë nga ana e serbëve dhe suksesi i qartë i partisë së zotit Rugova. Mendoj se kjo paraqet tregues për disa nga komuniteti ndërkombëtar, se me kalimin e kohës, do të binin edhe pasionet. Është e qartë se kjo nuk ndodhi. Ajo që në fakt keni, janë dy pozicione të ngulitura, të cilat do të kërkojnë ndërmjetësim të madh ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, sa legjitimë mund të jenë përfaqësuesit serbë në parlament në rrethanat e këtilla, kur fituan më pak se 1% të votave?

NICHOLAS WHYTE
Sa i përket pjesëmarrjes së tyre në parlament, ata e kanë të drejtën për të qenë, dhe mendoj se do të jenë atje nëse vendosin të marrin pjesë. Por, mendoj se çështja më e rëndësishme është se kush e ka tani mandatin për bisedimet për sa i përket statusit të ardhshëm të Kosovës. Është tejet e qartë se serbët vendosën që mandatin e tyre për bisedime t'ia lënë Beogradit, e jo përfaqësuesve të tyre lokalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Sllavisha Petkoviç dhe Oliver Ivanoviç e kanë akuzuar Beogradin për frikësimin e votuesve serbë. A do të thotë kjo se në mesin e serbëve të Kosovës po paraqitet një politikë e re, e pavarur nga qeveria serbe?

NICHOLAS WHYTE
Kjo është e qartë për ca kohë. Por, mendoj se nga rezultati i fundjavës, gjithashtu është e qartë se ky opsion ende nuk ka mbështetje të gjerë në mesin e vetë serbëve të Kosovës. Kuptohet që kishte frikësim, por gjithashtu kishte edhe sinqeritet të dukshëm në mënyrën, sipas së cilës serbët e Kosovës vendosën të votojnë apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh këtë, në çfarë mase Kosova po shfrytëzohet nga autoritetet e Beogradit për përfitime të brendshme politike?

NICHOLAS WHYTE
Kjo gjithmonë ka qenë kështu, dhe mendoj se do të vazhdojë të jetë. Mendoj se problemi qëndron në atë se nuk ka një proces të sponsorizuar nga ndërkombëtarët, i cili do të çonte në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Kjo i lë të lirë politikanët e papërgjegjshëm, si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë, të luajnë lojëra me fatin e popujve të tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, Financial Times ka sugjeruar se ky pothuajse unanimitet i bojkotit serb të zgjedhjeve, i aktualizon pyetjet nëse bisedimet e Vjenës mund të vazhdojnë. A jeni dakord me këtë?

NICHOLAS WHYTE
Para së gjithash, mendoj se përgjigja e shkurtër është po. Kjo sigurisht nënkupton që përfaqësuesit e komunitetit serb do të shihen më shumë si të lënë anash nga Beogradi, por po ashtu edhe nga serbët lokalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, çfarë mund të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve në bisedimet e ardhshme për statusin përfundimtar të Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Kjo edhe më shumë e bën të qartë se janë dy pozicione të ngurta, të cilat do të kërkojnë angazhim të rëndësishëm ndërkombëtar për t'i tejkaluar dallimet. Kjo është diçka që ne e themi një kohë të gjatë, por një numër njerëzish të bashkësisë ndërkombëtare kanë shpresuar se nuk do të ndodhë. Mendoj se këto zgjedhje treguan se ne kishim të drejtë.

Intervistoi VULLNET POSHKA
XS
SM
MD
LG