Ndërlidhjet

HARADINAJ: JAM I GATSHËM TË BASHKËPUNOJ ME TRIBUNALIN E HAGËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një deklarate me shkrim, ka konfirmuar se dje ai është takuar me përfaqësuesin e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë, nga i cili është kërkuar që javën e ardhshme, në Prishtinë, të marrë pjesë në takim për t’ju përgjigjur pyetjeve rreth akuzave jospecifike në lidhje me vitet 1998 dhe 1999 që Tribunali i Hagës po i heton ndaj tij.
“E kam informuar përfaqësuesin e Tribunalit të Hagës se unë do të marr pjesë në takim dhe se do t’ju përgjigjem të gjitha pyetjeve të tyre”, thuhet në deklaratën e zotit Haradinaj.
“Dëshiroj të bëj të qartë se unë nuk kam asnjë lloj kundërshtimi ndaj kësaj procedure”, ka deklaruar ai, për të shtuar se vitet e fundit ka qenë i shurdhët ndaj thashethemeve dhe akuzimeve tërësisht të pavërteta. “Prandaj, mirëpres mundësinë që të merrem me këtë çështje para një trupi ndërkombëtar që vepron me autoritetin e ligjit ndërkombëtar”, thekson në deklaratën e tij zoti Haradinaj. Ai bën të ditur gjithashtu, se në këtë fazë nuk ka njohuri se cilat akuza në mënyrë specifike, Tribunali dëshiron t’i hetojë.
Ndërkohë, edhe Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar sot se e ka diskutuar ftesën që Tribunali i Hagës i ka dërguar kryetarit të kësaj partie, për intervistimin e tij.
“Intervistimi ka të bëjë me disa hetime që është duke i bërë Tribunali për periudhën e luftës çlirimtare në Kosovë dhe rolin e Haradinajt në atë periudhë”, thuhet në komunikatën e AAK-së.
“Dyshimet në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe në njerëzit që e kanë bërë këtë luftë, e dëmtojnë rëndë procesin e përgjithshëm në Kosovë dhe rrezikojnë të gjitha të arriturat e përbashkëta të popullit të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare”, theksohet në këtë qëndrim të AAK-së.
Në anën tjetër, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka deklaruar sot se ka një bashkëpunim të ngushtë me Tribunalin e Hagës, por nuk ka dhënë ndonjë informacion në lidhje me deklarimet e kryeprokurores së Tribunalit të Hagës se po hetohet një rast i ri, i cili ka të bëjë me ish-kreun e UÇK-së.
Duke e ruajtur, siç thuhet, pavarësinë e institucionit të Tribunalit të Hagës, zyrtarët e UNMIK-ut nuk dëshirojnë të flasin për proceset në këtë gjykatë. Ndërsa duke iu referuar disa deklaratave të kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe UNMIK-un, nuk po bashkëpunon sa duhet me Tribunalin në lidhje me një rast të ri që kjo gjykatë është duke hetuar në Kosovë, zëdhënësja e administratës ndërkombëtare në Kosovë, Machtilde Henneke tha se Haga si institucion i pavarur punon edhe pa lejen e UNMIK-ut, kurse bashkëpunimi ynë me këtë Tribunal, tha ajo, ka qenë çdo herë në nivel:
"Marrëdhëniet ndërmjet UNMIK-ut dhe Tribunalit të Hagës kanë qenë çdo herë të mira dhe ne kemi bashkëpunuar për me të së afërmi gjatë tërë procesit”, tha Henneke, duke shtuar se kjo administratë nuk sheh këtu kurrëfarë problemesh.
Përndryshe, për sot autoritetet ndërkombëtare kanë dorëzuar në Hagë, Beqë Beqajt nga komuna e Shtimes, i cili akuzohet për fyerje të Gjykatës Penale të Hagës dhe aktakuza e ngarkon atë me frikësimin e dëshmitarëve në rastin tashmë që pritet të hapet për gjykim më 15 nëntor, ku në bankën e të akuzuarve janë tre ish-pjestarët e UÇK-së, ndër ta dhe njëri prej ish-udhëheqësve të UÇK-së, Fatmir Limaj.


XS
SM
MD
LG