Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: BEOGRADI NUK MUND TA PENGOJË KOSOVËN NË RRUGËN E SAJ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u dhe Kosova janë të interesuar që edhe serbët e Kosovës të jenë pjesë e procesit, mirëpo Kosova nuk ka shumë kohë të presë dhe e ka rrugën e saj të qartë përpara, ka deklaruar shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto vlerësime zoti Jessen Petersen i ka bërë me të arritur në aeroportin në Sllatinë, nga vizita dyditëshe që i kishte bërë Beogradit, ku kishte takuar zyrtarët më të lartë të atjeshëm dhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit.
Ai tha se megjithatë nuk kishte arritur t’i bindte autoritetet e atjeshme që të sigurojnë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucionet e reja të dala pas zgjedhjeve të 23 tetorit:
"Që të jem i sinqertë ata janë ende me hamendje. Ka shumë pikëpamje të ndryshme në Beograd dhe ky është problem i Beogradit," tha Jessen Petersen, sipas të cilit pavarësisht nga kjo, ai ua kishte shpjeguar zyrtarëve të atjeshëm se Kosova e di hapin e saj të ardhshëm dhe rrugën e qartë për ta realizuar atë, duke pasur një strategji gjithëpërfshirëse dhe të integruar. Sipas zotit Jessen Petersen këto prioritete janë përmbushja e standardeve parësore, siguria dhe ekonomia dhe do të dëshironte që edhe serbët të jenë pjesë e këtij dialogu:
"Unë ua bëra të qartë se ne do të shkojmë përpara, pasi kemi një lidership politik shqiptar të përkushtuar, të vendosur për të shkuar përpara drejt përmbushjes së standardeve dhe sapo ta formojmë qeverinë do të shkojmë përpara," tha Jessen Petersen, për të shtuar se do të dëshironte që serbët të jenë pjesë e procesit, por ata gjithashtu e dinë se koha jonë është shumë e ngushtë, prandaj jemi të vendosur të ecim përpara.
Ndërkohë, Dragisha Kërstoviç një nga kryesuesit e "Listës Serbe për Kosovën e Metohinë", të cilës i takojnë tetë vende të rezervuara në parlament, tha se vendimi i tyre për të mos shfrytëzuar këto vende është në raport me numrin tepër të vogël të votuesve serbë.
"Kjo është një zgjidhje që është në pajtim me këtë situatë, përndryshe nuk mendoj se është zgjidhje e mençur politikisht," tha Kërstoviç, sipas të cilit kjo u krijon shumë hapësirë atyre që ishin kundër zgjedhjeve. Ai tha se vendimi përfundimtar megjithatë i mbetet Beogradit:
"Kështu edhe do të jetë. Gjithçka do të përcaktohet në Beograd dhe kjo nuk është e diskutueshme, por problemi është se mungon një përçuarje për realizimin e këtyre vendimeve," tha Kërstoviç. Mirëpo, kryeadministratori Jessen Petersen tha se pjesëmarrja do të ishte rruga më e mirë për serbët, por në të kundërtën Beogradi nuk mund ta pengojë Kosovën për të realizuar synimet e saj prioritare:
"Unë nuk mendoj se Beogradi mund ta bllokojë rrugën e Kosovës përpara, pasi rruga përpara është e qartë dhe kjo rrugë ka përkrahjen e plotë të Grupit të Kontaktit," tha zoti Jessen Petersen, i cili sot pasdite do të takojë edhe liderët politikë të Kosovës për t’i informuar për rezultatet e qëndrimit të tij në Beograd.

XS
SM
MD
LG