Ndërlidhjet

NUK MUND TË VIHET SHENJË BARAZIE MES KOSOVËS DHE SERBISË PËR PUNËN E TRIBUNALIT TË HAGËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe analistët e pavarur janë shprehur kundër vënies së shenjës së barazisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Tribunali i Hagës dhe i kanë quajtur të pamatura deklaratat e kryeprokurores Karla Del Ponte se edhe në Kosovë ashtu si në Serbi, ekzistojnë rrjete të organizuara që pengojnë punën e Tribunalit, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut kanë thënë se nuk dinë për kërcënime të tilla. Këto reagime kanë pasuar një deklaratë të mbrëmshme të kryeprokurores Del Ponte, e cila ka thënë se edhe në Serbi edhe në Kosovë po përdoret një gjuhë agresive nacionalite kundër Tribunalit të Hagës dhe prokurorit, ndërsa mesazhi i tyre është që nëse autoritetet bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, kjo do ta destabilizojë vendin. Këta individë, ka thënë Del Ponte, janë të prirur të kërcënojnë dhe shkaktojnë dhunë duke njollosur Tribunalin.
Mirëpo, zëdhënësi i UNMIK-ut, Jeff Bieley tha se nuk e kishte shumë të njohur këtë deklaratë të zonjës Del Ponte, bërë dje para Këshillit të Sigurimit të OKB në Nju Jork. Zoti Bieley tha se nuk e dinte se çfarë fakteve u ishte referuar zonja Del Ponte:
"Më vjen keq që nuk e kam shumë të njohur deklaratën, por nuk di për ndonjë kërcënim," tha zëdhënësi i UNMIK-ut Bieley, duke mos komentuar më shumë.
Ndërkaq, zëdhënësja e qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari tha se krahasimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë deklarata të pamatura:
"Janë larg krahasimet ndërmjet realitetit kosovar dhe atij të Serbisë, pasi ende gjenden dy kriminelët kryesorë të luftës në ish-Jugosllavi, Radko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, të cilët nuk janë zënë dhe në fshehjen e të cilëve besohet të ketë gisht edhe vetë shteti i Serbisë dhe institucionet e Serbisë".
Ndërkaq, analisti Bernard Zeneli tha se kishte përshtypjen sikur ka një kthim mbrapa sa i përket mënyrës se si po përdoret Tribunali i Hagës:
"Duhet të kemi parasysh që nëse vihet shenja e barazisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa u përket çështjeve të Gjykatës së Hagës, do të thotë se diçka nuk po shkon mirë me mënyrën se si po funksionon kjo gjykatë".
Zoti Zeneli tha se kjo gjykatë po përdoret edhe për të përcaktuar dhe përmbushur interesat e palëve që janë të interesuara për përdorimin e kësaj gjykate si palë politike.
Ndërkohë, zonja Del Ponte ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet e zgjedhura në mënyrë demokratike në rajon duhet të ndërmarrin masa të vendosura kundër rrjeteve të tilla. Zëdhënësja Kusari-Lila tha se qeveria nuk ka informacione për egzistimin e rrjeteve të tilla:
"Nuk ekziston ndonjë informatë në kuadër të strukturave qeveritare, pasi nuk ka asnjë shërbim sekret që funksionon për qeverinë e Kosovës. Dihet që siguria dhe rendi janë kompetencë e rezervuar e institucioneve ndërkombëtare, por ky është një krahasim mjaft i pamatur ku nuk mund të ketë paralele të barabartë," tha zonja Kusari Lila, ndërsa zoti Bernard Zeneli mendon se problemi kryesor është pikërisht tendenca për barazim ndërmjet atyre që kanë bërë terror dhe atyre që kanë pësuar ai:
"Problemi thelbësor sipas meje është se nuk duhet të përdoret i njëjti trup gjykues për të gjykuar si atë që ka ushtruar terror, si atë që ka marrë atë masë të terrorit. Këtu mendoj që është problemi kryesor me këtë tribunal."
Ndërkohë, zonja Kusari-Lila ka përkujtuar kryeoprokuroren Del Ponte se nuk mund të flitet me të njëjtin ton për rastet kur kriminelët fshihen si në Serbi dhe rastet kur njerëzit e dyshuar nga Kosova dorëzohen vullnetarisht.



XS
SM
MD
LG