Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA HARADINAJ FILLON MANDATIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka pranuar sot dhe formalisht mandatin nga ish kryeministri Bajram Rexhepi. Në një ceremoni të organizuar, ish kryeministri Rexhepi, i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur atë në drejtimin e qeverisë së parë të zgjedhur të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Rexhepi tha se në mandatin e tij gati tre vjeçar, ai ka gëzuar një mikëpritje dhe respekt, qoftë në mesin e strukturave të Kosovës apo edhe në mesin e popullatës së Kosovës, pa dallim etnie. Rexhepi tha se në mandatin e tij ai ka bërë përpjekje të vejë një qasje të re lidershipi, pavarësisht pengesave të mëdha dhe kompetencave të kufizuara që kishte qeveria e tij:
"Ndonëse në shumë nga përpjekjet e mia të sinqerta jam gjetur pa përkrahjen e domosdoshme, megjithatë nuk kam pushuar që të bëj gjithë çfarë kam mundur gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës si kryeministri juaj. Mbi të gjitha jam përpjekur që të heq pengesat e shumta në komunikim, të tejkaloj barrierat jo të pakta përçarëse, që në mënyrë dinjitoze t'u përfaqësoj karshi botës e të hap rrugë të reja të komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të fitohen miqtë e përkrahje në favor të zgjidhjes së shpejtë e të drejtë të statusit të Kosovës," tha ish kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë, kryeministri i ri Ramush Haradinaj, tha se ndihej i prekur nga ky moment, kur një kryeministër siç ishte Bajram Rexhepi duhet të largohet nga posti i tij. Ai tha se nuk do të hezitojë që ish kryeministrin Rexhepi ta konsultojë për shumë çështje me rëndësi për Kosovën. Haradinaj e vlerësoi të suksesshëm mandatin e Bajram Rexhepit, ndërsa premtoi vazhdimin e angazhimeve të tij që procesi i plotësimit të standardeve, të mbetet prioriteti kryesor dhe më i ngutshëm në agjendën e tij, në mënyrë që me zbatimin e këtyre standardeve të arrihen dhe objektivat e qeverisë së tij dhe të Kosovës:
"Unë i drejtoj falënderimit tim për punën e mirë që qeveria Rexhepi ka bërë në të kaluarën dhe me këtë rast i premtoj angazhimin tim dhe të qeverisë që do të udhëheq, që do të vazhdojmë në të gjitha angazhimet që i ka marrë qeveria dhe do të vazhdojmë me agjendën e standardeve për Kosovën, do të arrijmë sukseshëm në maj dhe do t’i kushtohemi zhvillimit të gjithmbarshëm të Kosovës," theksoi kryeministri Haradinaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me akuzat e vazhdueshme të Beogradit që vijnë në adresën e tij, kryeministri Haradinaj tha se kjo nuk çon shumë peshë në punën dhe angazhimet e tij që kanë të bëjnë krye këput me Kosovën:
"Mendoj se ne kemi shumë punë në Kosovë dhe energjitë tona, punën tonë, potencialin tonë, do ta drejtojmë këtu në Kosovë," tha Haradinaj.
Qeveria e kaluar kishte 10 ministri, ndërsa kjo e kryeministrit Haradinaj ka 13 ministri, ku si risi janë përfshirë pushteti lokal, kthimi dhe të drejtat e komuniteteve si dhe energjetika. Kryeministri Haradinaj ka zhvilluar më pas takime me zyrtarë të lartë vendorë, ndërsa ka premtuar se programin e tij qeverisës do t’ua shpërndajë në shqyrtim ministrave të qeverisë së re, para se ai të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG