Ndërlidhjet

SHTETET E BASHKUARA PO GRUMBULLOJNË TRUPA AFËR IRAKUT


Charles Recknagel, Radio Evropa e Lirë Përderisa presidenti amerikan, George Bush vazhdon të thotë se lidhur me Irakun të gjitha variantet janë të hapura dhe se lufta është mundësia e fundit, planifikuesit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në mënyrë të qetë po tubojnë një forcë të gjërë në hapësirën e Gjirit. Thuhet se së shpejti numri i pjesëtarëve të kësaj force mund të arrijë në 100 mijë ushtarë me pajisje të rënda.

Zyrtartët ushtarakë amerikan nuk dëshirojnë të flasin shumë lidhur me grumbullimin e trupave amerikane afër Irakut. Në të shumtën e rasteve ata shpjegojnë se dërgimi i luftanijeve në hapësirën e Gjirit, në Mesdheun Lindor dhe në Oqeanin Indian janë “lëvizje rutinore” që kanë për qëllim mbajtjen e nivelit normal të pranisë së forcave të Shteteve të Bashkuara në pjesë të ndryshme të globit. Ky refuzim i ushtarakëve për të dhënë detaje të vendosjes së forcave me gjasë mund të kuptohet si mbrojtje e elementit të befasisë për ndonjë luftë eventuale. Megjithatë, rritja e shpejtë e numrit të trupave në lëvizje tashmë tejkalon atë që mund të konsiderohet e natyrës rutinore. Gjatë ditëve të fundit Uashingtoni ka urdhëruar disa luftanije, përfshirë edhe aeroplanbartësen “Abraham Lincoln” për të mbetur në det edhepse ishte e planifikuar që të kthehet në Shtetet e Bashkuara pasi kishte mbaruar xhiron 6 mujore afër Irakut.
Poashtu, gjatë ditëve të ardhshme pritet edhe vendosja e forcave tokësore në rajon. Pritet që numri prej 60 mijë ushtarësh amerikan që tashmë gjenden në hapësirën e Gjirit do të dyfishohet. Kjo do të thotë se në rajon, së shpjeti, do të vendoset gati gjysma e afro 250 mijë ushtarëve, që sipas parashikimeve ushtarake amerikane, mendohet se është numër i domosdoshëm për të luftuar kundër Irakut.

Gjatë vizitës së fundit në një bazë ushtarake në Shtetet e Bashkuara, presidenti George Bush u tha ushtarëve që të jenë të gatshëm për të luftuar. Me këtë rast, George Bushi pos tjerash tha:
- Ne jemi gati. Ne jemi të përgatitur…dhe nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë të detyruara për të vepruar, trupat tona do të veprojnë sipas traditës amerikane.

Ai mëtutje theksoi se tash është presidenti iIrakut, Saddam Hussein ai i cili mund ta evitoj luftën duke dëshmuar në Kombet e Bashkuara se më nuk ka armatim për shkatërrim në masë. Por, George Bush u shpreh se nëse Saddam Husseini nuk e shfrytëzon këtë rast, atëherë ushtarët amerikanë do ta lirojnë Irakun nga regjimi i tij.

- Nëse Saddam Husseini e vulos fatin e tij duke refuzuar të çarmatoset, duke injoruar publikun botëror, ju do të luftoni jo për ta nënshtruar askënd por për ta çliruar popullin e Irakut, – tha George Bushi.

Presidenti i Irakut, Saddam Hussein të Hënën paralajmëroi mundësinë e mosbashkëpunimit me inspektorët e armatimit të Kombeve të Bashkuara, duke akuzuar inspektorët se “po kryejnë punë spiunimi”.

- Në vend që të kontrollojnë për të ashtuquajturat armë për shkatërrim në masë, me qëllim që të arsyetojnë propagandën e rrejshme nga ata që po e mashtrojnë opinionin publik, ekipet e inspektorëve po interesohen për sajimin e listës së shkencëtarëve irakian…duke i pyetur punëtorët për ato që nuk është punë e tyre. Duket se ata po mbledhin informacione për prodhime ushtarake, që nuk janë të ndaluara dhe çështje të tjera. Një pjesë e madhe e kësaj pune duket se përbën një punë të qartë spiunimi, – tha Saddam Husseini.

Ai mëtutje theksoi se Iraku po përgatitet për t’ju kundërvënë ndonjë sulmi evetenual.
XS
SM
MD
LG