Ndërlidhjet

SI DO TË RRJEDHË FUSHATA PËR PUSHTIMIN E BAGDADIT?


Jeremy BRANSTEN

Ekspertët ushtarakë janë dakord se pushtimi i aeroportit ndërkombëtar të Bagdadit, 20 kilometra nga qendra e kryeqytetit të Irakut, është fitorja më e madhe në dy javët e luftës.
Rënia e aeroportit ndërkombëtar në duart e forcave amerikane, së shpejti mund të përdoret nga ushtria amerikane dhe britanike.
Koloneli Christopher Langton, drejtues i analizave të mbrojtjes në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, thotë:
"Definitivisht është simbolike, por ka edhe rëndësi strategjike. Në ditët që vijnë, kur të sigurohet zona për rreth, mund të përdoret për sigurimin e pajisjeve, por edhe për çështje humanitare", thotë Langton.
Pyetja kryesore që parashtrohet është se ç'duhet bërë tani? Si do t'ia dalin në krye forcat e koalicionit ta pushtojnë Bagdadin, tani kur janë para portave të qytetit?
Robert Hutchinson nga "Jane's Defence Weekly" thotë se qëllimi kryesor i koalicionit mbetet shmangia e luftës urbane dhe viktimave masovike të civilëve. Ai beson që forcat amerikane dhe britanike mund t'i konsolidojnë pozitat rreth qytetit, duke lënë një koridor të hapur për civilët që largohen.
"Forcat e kolaicionit nuk duan të zhyten në një gjakderdhje të madhe në luftimet nëpër shtëpi dhe rrugë. Në Bagdad jetojnë 6 milionë njerëz, prandaj ato kanë instrukcione t'i minimizojnë viktimat civile, dhe e dijnë se kjo mund t'ju kushtojë. Nuk duhet harruar se divizionet e Gardës Republikane ende gjenden në jug të qytetit, kurse në sulmin ndaj aeroportit morën pjesë vetëm 1.000 amerikanë", thotë Hutchinson.
Shtrohet pyetja edhe sa ushtarë kanë mbetur në Gardën elite Republikane, e cila fillimisht kishte 6 divizione me nga 9.000 deri 12.000 vetë. Langton shpjegon se 2 divizione janë shkatërruar në luftimet me forcat amerikane në jug të Bagdadit, por gjendja e 4 divizioneve tjera është e paqartë.
"Divizioni Medina në Qerbela u shkatërrua. Divizioni Bagdad në al-Kutt gjithashtu. Por shumë pak dijmë për divizionet Nida dhe Nebuchanezzar, që besohet të jetë rreth Qerbelasë. Edhe ato mund të jenë tërhequr në qytet", thotë Langton.
Kur njëherë trupat amerikane dhe britanike të vendosen në pozitat rreth qytetit, Hutchinson thotë se inkursionet e para në kryeqytetin e Irakut mund të bëhen me njësite të vogla apo forca speciale, për të testuar rezistencën. Kjo mund të ndiqet më pas me hapa tjerë për pushtimin e pjesëve të qytetit.
"Skenari më i mundshëm nuk është rrethimi, por marrja e pikave kyçe në pjesët e caktuara të qytetit, duke i përdorur forcat speciale. Ato ndoshta mund të përpiqen ta marrin edhe Qytetin e Saddamit, në lindje të qendrës, që ka shumicë Shiite. Kështu, mund të vendosin një lloj qeverie të përkohshme, për izolim të mëtejmë të regjimit", thotë Hutchinson.
Ndërkaq Langton thotë se përkundër përpjekjeve për pushtimin e caqeve strategjike brenda qytetit, si ministritë dhe pikat e komunikimit, qasja graduale është më e preferueshme për trupa që t'iu shmangen pusive.
"Ato duhet të shkojnë me shumë kujdes. Nëse e merrni një ndërtesë, lehtë mund të izoloheni. Duhet vërtet të përparoni, rrugë pas rruge, shtëpi pas shtëpie, dhe të siguroheni se forcat e Saddamit të mos operojnë lirshëm në zonat tuaja. Kjo e zgjat operacionin, andaj ai duhet të jetë i përpiktë", thotë Langton.
XS
SM
MD
LG