Ndërlidhjet

UNMIK: KOSOVA ME DELEGACION SHUMËETNIK NË BISEDIMET TEKNIKE ME BEOGRADIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse besojnë se delegacioni i Kosovës në bisedimet eventuale me Serbinë për çështje teknike duhet të ketë pozicion unik, shqiptarët dhe serbët janë skeptikë sa i përket mundësisë së arritjes së këtij konsensusi, ndërkohë që zoti Steiner beson se nuk ekziston rreziku
i qëndrimeve të ndryshme brenda delegacionit, pasi në agjendë nuk do të ketë çështje politike. Hajredin Kuçi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se së pari duhet një dialog ndërmjet vetë subjekteve shqiptare, por është skeptik që delegacioni multietnik i Kosovës të ketë pozicion të përbashkët në biseda me Beogradin:
“Mund të them se konsensusi ndërmjet subjekteve politike shqiptare është i mundshëm, por konsensusi me subjektet politike serbe
është i pamundur, pasi në rast të dialogut me Beogradin, ata do të jenë në anën e Beogradit dhe jo të Kosovës. Mund të mos jenë në delegacion me Beogradin, por qëndrimet e tyre do të jenë të përafërta me ato të Beogradit”, tha Kuçi.
Zoti Kuçi tha se ka kontakte, por jo edhe dialog ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, pasi sipas tij, Beogradi i ka shfrytëzuar minoritetet, jo si urë për bashkëpunim me Kosovës, por si mjet për integrimin e Kosovës në Serbi, që ka qenë një qasje e gabuar,
mendon Kuçi.
Mirëpo Oliver Ivanoviç, një nga liderët e koalicionit Kthimi, thotë se delegacioni i Kosovës duhet të ketë qëndrim të përbashkët: “Kjo nuk mund të jetë platformë vetëm e shqiptarëve, pasi konflikti vetëm sa mund të ashpërsohet dhe problemi nuk zgjidhet ashtu, por kjo
duhet të jetë platforma e institucioneve të përkohshme, që do të thotë e shqiptarëve, e serbëve, e të tjerëve dhe e UNMIK-ut”, tha Oliver Ivanoviç, i cili duke përdorur termat “krahinë” për Kosovën dhe
“republikë” për Serbinë tha se qëndrimet duhen harmonizar në nivel krahine para se të bisedohet në nivel republike.
Por, kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner tha për Evropën e Lirë se nuk ekziston rreziku që delegacioni të mos ketë qëndrim unik. Ajo që nuk mund të ndodhë është që konsensusi të bllokohet nga një
palë apo nga dikush që e sheh veten të anashkaluar, tha Steiner.
“Nuk ka rrezik që të mos ketë konsensus, pasi përderisa nuk kemi negociata politike kjo nuk është me rrezik, ndërkohë që po të mendohej për çështje politike çështja do të ishte më e vështirë”, tha Steiner, i cili nuk e sheh këtë çështje si problematike për arsye se problemet në agjendën e bisedimeve janë me interes për të dyja palët, si për shembull të zhdukurit, energjia apo transporti.
Mirëpo, edhe Kuçi edhe Ivanoviç mendojnë se në çfarëdo agjende bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjërat janë të politizuara. Por, thotë Ivanoviç konsensusi brenda-kosovar duhet të ekzistojë:
“Në këtë dialog ka çështje teknike, por ka edhe të tilla të nivelit të
lartë politik. Pavarësisht se për çfarë temash bëhet fjalë, ato së pari duhen diskutuar ndërmjet nesh në institucionet e përkohshme të qeverisjes të Kosovës”, tha Ivanoviç.
Hajredin Kuçi ndërkaq thotë se serbët nuk janë angazhuar sinqerisht për të afruar qëndrimet me Prishtinën:
“Unë nuk jam optimist që para definimit të statusit politik të Kosovës të bëhet një gjë e tillë dhe ndoshta është e panatyrshme dhe jolegjitime, që ata do ta përkrahin Beogradin deri sa mendojnë se do të kthehet sovraniteti i Beogradit në Kosovë. Në momentin kur ta humbin atë shpresë, ata do të orientohen kah duhet, aty ku e kanë vendin, pra në Prishtinë", thotë Kuçi.
Siqodoftë, këto dilema mbetet të sqarohen në të ardhmen dhe për këtë duket të ketë kohë, pasi asnjëra nga palët nuk ka parashikuar si të mundshëm fillimin e dialogut së paku gjatë korrikut.






XS
SM
MD
LG