Ndërlidhjet

DEBËLLDE: FSHATARËT PROTESTOJNË KUNDËR VENDOSJES SË PIKËS KUFITARE NË KUFIRIN KOSOVË MAQEDONI


Rrahman Paçarizi, nga kufiri Kosovë-Maqedoni në Dëbëlldeh,

UNMIK-u së paku deri në këto momente ka hequr dorë nga synimi për të vendosur pikën kufitare në afërsi të fshatit Debëllde sipas një marrëveshjeje ndërmjet Maqedonisë e Serbisë, me të cilën Kosova ka humbur 2500 hektarë të tokës së saj. Synimi i UNMIK-ut për të vënë pikën kufitare në vijën e re kufitare, ende të papërcaktuar mirë, ka shkaktuar protesta të banorëve vendës, të cilët që nga mbrëmë kanë bllokuar hyrjen e fshatit duke lejuar të kalojnë vetëm automjetet e KFOR-it, por jo edhe të policisë së UNMIK-ut. Në orët e mëngjesit të sotëm, një patrullë e policisë së UNMIK-ut është ndaluar në hyrje të fshatit, nga fshatarët që kanë thënë se kanë përfunduar çfarëdo bisedash me UNMIK-n për këtë çështje:
Hamdi Hasanaj, përgjegjësi i fshatit u shpreh:
" Ushtria maqedonase është në tokat tona dhe ka hyrë pesë kilometra. Kjo është për ne e papranueshme, përderisa nuk na e paguajnë dëmshpërblimin për katër vjet që nuk na kanë lënë ta shfrytëzojmë tokën tonë. Të bëjnë rrugën nëpër tokat tona, pa pëlqimin e shqiptarëve dhe të qëndrojnë aty, kjo gjithashtu është e papranueshme.”
Marcus Klueber i UNMIK-ut thotë: “Nuk ka një vendim për vijën kufitare dhe kjo çështje po vazhdon në gjyqin ndërkombëtar, prandaj vënia e postbllokut nuk është edhe definim i vijës kufitare”, ndërsa Hamdi Hasanaj shton se “Bisedat kanë marrë fund dhe nuk kemi se çfarë të bisedojmë”.
Pala maqedonase ka vendosur që dje dy barraka në vendin ku do të vihet postblloku kufitar i Debëlldehit, ndërkohë që barrakat që UNMIK-u kishte vënë në afërsi, nuk ekzistojnë më dhe në vend të tyre ka vetëm një rrethojë telash me gjemba. Banorë lokalë thonë se mbrëmë janë dëgjuar të shtëna nga të dyja anët, por zyrtarë të fshatit dhe të policisë së UNMIK-ut nuk i konfirmuan këto pohime. Postblloku maqedonas sot ishte i zbrazët, ndërkaq në afërsi nuk kishte as ushtarë të KFOR-it dhe as polici kufitare të Kosovës.
Polici ndërkombëtar i ngarkuar me këtë çështje Marcus Klueber, pas bisedave të pasuksesshme me fshatarët protestues, tha se nuk e dinte se në ç’drejtim do të shkojë situata. Njerëzit duhet të kenë informacion të drejtë, por ata po refuzojnë të na dëgjojnë, tha Klueber: “Nuk ka demarkacion të vijës kufitare, por fshatarët mendojnë se vënia e postbllokut do të thotë përcaktim i vijës kufitare dhe ky është koncept i gabuar, pasi protokolli me Maqedoninë thotë saktësisht se vija kufitare nuk fiksohet me këtë postbllok”, tha zyrtari i policisë Klueber, sipas të cilit ende nuk ka një vendim definitiv se çfarë do të ndodhë me vënien e postbllokut të UNMIK-ut, pasi për këtë, tha ai, do të vendosin nivelet më të larta.
Hamdi Hasanaj tha se situata është e tensionuar për shkak se UNMIK-u dëshiron ta zyrtarizojë pikën kufitare që është e papranueshme për fshatarët, pasi pika kufitare do të vendoset pesë kilometra në thellësi të tokës së këtij fshati: “Ne nuk do ta pranojmë dhe deri sa UNMIK-u dhe qeveria e Maqedonisë bëjnë bisedime me qeverinë e Beogradit për pronat tona private, ne banorët e Debëlldehit nuk do ta pranojnë kurrë dhe sot është protesta e fundit në mënyrë paqësore, prandaj u bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit dhe UNMIK-ut që të jenë në anën tonë e të mos vijë deri te më e keqja dhe këtë barrë nuk e marr unë si përgjegjës i fshatit dhe as banorët e mi të fshatit”, tha Hamdi Hasanaj, përgjegjës i fshatit.
Banorët e fshatit thanë se janë të vendosur të mos lejojnë vendosjen e pikës kufitare pesë kilometra në brendi të pronave të tyre, ndërkohë që burime të administratës së UNMIK-ut thanë se vendosja e postbllokut të UNMIK-ut ishte shtyrë për nesër në orën shtatë të mëngjesit.

XS
SM
MD
LG