Ndërlidhjet

UNMIK-U FILLON FUSHATËN PËR PËRKRAHJEN E KTHIMIT TË PERSONAVE TË ZHVENDOSUR


Rrahman Paçarizi,Prishtinë

Vetëm një ditë pasi 24 familje serbe janë kthyer vullnetarisht në fshatin Bello Pole apo Guranjak të Pejës, UNMIK-u ka filluar një fushatë në mbështetje të kthimit, në të cilën janë të angazhuara personalitete të shquara të politikës botërore dhe vendore si dhe njerëz të shquar të kulturës dhe të artit në Kosovë, me moton “Edhe unë jam Kosovë”, ka thënë sot zëdhënësja e UNMIK-ut, Eleanor Beardsley: “Kjo fushatë është në linjë me zhvillimet aktuale, siç është letra e hapur e liderëve shqiptarë drejtuar të zhvendosurve, duke iu thënë që të kthehen që të gjithë atyre që Kosovën e konsiderojnë shtëpinë e tyre”, tha zëdhënësja e Beardsley, duke njoftuar se gjatë kësaj kohe do të bëhen aktivitete të ndryshme.
“Kjo fushatë ka për qëllim të nënvizojë pasurinë kulturore dhe diversitetin e Kosovës, që do të thotë përkatësitë e ndryshme etnike dhe fetare”, tha Eleanor Beardsley, duke bërë të ditur se një fushatë e tillë po ndodh edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me moton “Edhe unë jam amerikan”. Sidoqoftë, lidhur në fushatën që po zhvillohet në Kosovë janë angazhuar edhe personalitete të njohura botërore me ndikim në Kosovë, si ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ish-sekretarja Madeleine Albright, ish-zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, senatori Bob Dole, përfaqësuesi i BE-së, Javier Solana dhe personalitete të tjera botërore dhe vendore. Në deklaratën e zotit Clinton thuhet se "unë shpresoj që Kosova të bëhet një shoqëri e bashkuar, ku mirëkuptimi do ta mundë urrejtjen", ndërsa ish-sekretarja Albright ka thënë se fuqia e Kosovës qëndron pikërisht në këtë pasuri kulturore dhe etnike dhe "ju jeni ata që do ta ndërtoni shoqërinë multietnike, pasi gjithkush është i lirë në Kosovën e lirë" ka thënë Albright.
Kjo fushatë është lansuar një ditë pasi në fshatin Bello Pole apo Guranjak të Pejës janë kthyer 24 familje serbe të zhvendosura gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Kthimi i tyre vullnetar dhe deklaratat se nuk duan të jenë një enklavë e re, por të jetojnë në fqinjësi të mirë me shqiptarët e rrethinës, kanë pasur pikërisht si bazë ftesën e hapur që liderët shqiptarë të Kosovës u kanë bërë të zhvendosurve që të kthehen.
Koordinatori ndërministror për të kthyerit në qeverinë e Kosovës, Milorad Todoroviç e vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin që kthimi i të zhvendosurve në rajonin e Pejës tashmë ka filluar, pavarësisht se kjo zonë nuk është ndër më të mirat në Kosovë në aspektin e sigurisë së përgjithshme:
“Më e rëndësishmja është që njerëzit janë organizuar vetë dhe janë kthyer në bazë të vullnetit dhe vendimit të tyre që është njëri ndër kriteret për kthim të qëndrueshëm”, ka thënë Milorad Todoroviç, duke e vlerësuar si të drejtë strategjinë e UNMIK-ut, zyrës për të kthyerit dhe qeverisë së Kosovës, pasi njëkohësisht kemi kthim të serbëve në rrethinë të Pejës dhe kthim të shqiptarëve në Biti të Ulët të Shtërpces.
Sidoqoftë, ka thënë Todoroviç atyre që janë kthyer u duhet dalë në ndihmë për të siguruar edhe ekzistencën e tyre, në mënyrë që i gjithë procesi të jetë i sukseshëm.


XS
SM
MD
LG