Ndërlidhjet

PROKURORIA E GJYKATËS SË HAGËS KUNDËRSHTON HETIMIN NË LIRI TË FATMIR LIMAJT


Augustin Palokaj, Hagë

Trupi Gjykues në procesin kundër Fatmir Limajt dhe dy të akuzuarve të tjerë shqiptarë nga Kosova së shpejti do të duhet të caktojë një datë për një seancë në të cilën do duhet të shqyrtohet kërkesa për lirimin e përkohshëm të të akuzuarve, kërkesa këto që i ka paraqitur pala mbrojtëse. Mirëpo prokuroria e Tribunalit të Hagës, tashmë ka bërë të qartë se do të kundërshtojë lirimin e përkohshëm të të akuzuarit kryesor me këtë aktakuzë Fatmir Limaj. Në arsyetimin prej 120 faqesh që ka dhënë prokuroria, pohohet se Fatmir Limaj së pari nuk ëshë dorëzuar kur ka marrë vesh se është në aktakuzë, por ka lejuar të arrestohet nga policia sllovene, tre orë pasi e kishte kuptuar se është i akuzuar. Nga ana tjetër prokurororia e Tribunalit të Hagës, po ashtu nënvizon se lirimi eventual i Fatmir Limajt dhe lejimi që të mbrohet në liri, do të mund të paraqiste rrezik potencial për dëshmitarët e mundshëm që do të mund të paraqiten në këtë proces. Po ashtu thuhet se gjatë kërkimit që është bërë në shtëpinë e Fatmir Limaj, nga ana e hetuesve të Hagës dhe policisë së UNMIK-ut, është gjetur një pashaportë fallco e Republikës së Shqipërisë me datat e gabuara të lindjes, që po ashtu sipas prokurorisë mund të jetë ndonjë arsye që Fatmir Limaj ka planifikuar të largohet. Mirëpo pa marrë parasysh qëndrimet e prokurorisë dhe palës mbrojtëse do të jetë trupi gjykues ai që në fund do të vendosë nëse do t'u lejohet këtyre të mbrohen në liri apo jo.


XS
SM
MD
LG