Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: STATUSI I KOSOVËS NUK DO TË VENDOSET AS NË BEOGRAD, AS NË PRISHTINË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Statusi i Kosovës është një çështje e hapur dhe për këtë nuk mund të vendosë as Beogradi dhe as Prishtina, ka thënë sot ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, zoti Charles Brayshow. Reagimi me shkrim i zotit Brayshow, ka pasuar disa deklarata të zëvendës-kryeministrit të Serbisë Nebojsha Çoviç, i cili së fundi ka deklaruar se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë dhe se askush nuk ka të drejtë që të lejojë shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Zyrtari serb Çoviç ka thënë se angazhohet që në kushtetutën e Serbisë, pos preambulës ku Kosova përshkruhet si pjesë e Serbisë, të futet edhe një klauzolë me të cilën ndalohet heqja dorë nga Kosova.
Zëdhënësi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Sunil Narula, tha se Nebojsha Çoviç ka bërë së fundi deklarata lidhur me statusin e Kosovës, duke thënë se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë dhe se zoti Brayshow ka reaguar sot pikërisht ndaj këtyre komenteve:
“Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e lë të hapur çështjen e statusit të Kosovës, si një gjë që do të përcaktohet nga ky Këshilli i Sigurimit në kohën e duhur”, ka cituar zëdhënësi Narula shefin e tij, Brayshow, i cili ka theksuar më pas se Beogradi nuk është ai që vendos për statusin përfundimtar të Kosovës:
“Kosova administrohet nga rezoluta 1244 për të ofruar një autonomi substanciale, ndërkohë që siç ka thënë më herët edhe zoti Steiner, statusi përfundimtar nuk do të vendoset në Beograd apo në Prishtinë”, tha zëdhënësi Sunil Narula.
Kohët e fundit ka pasur disa deklarime nga anë të ndryshme lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, ndërmjet të tjerash edhe nga shefi i fundit i UNMIK-ut, Michael Steiner, i cili vetëm një ditë para largimit nga posti i tij pati thënë për radion Evropa e Lirë, se periudha prej një viti do të ishte pak për të definuar statusin e Kosovës, ndërsa një periudhë prej pesë vjetësh, do të ishte tepër e gjatë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.



XS
SM
MD
LG