Ndërlidhjet

N. WHYTE: HARMONIA ETNIKE NUK MUND TË BLIHET ME PARA PUBLIKE


Nicholas Whyte, shef i zyrës për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, si e shikoni procesin e vënies në jetë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni?

NICHOLAS WHYTE
Po ecën ngadalë, por nuk mendoj se ka patur ndonjë prapakthim të dukshëm në proces. Kemi parë integrimin gradual të shqiptarëve etnikë në forcat e sigurisë. Kemi parë se ndryshimet në kushtetutë janë realizuar dhe kemi parë gjithashtu plane të përgatitura për rritjen e pjesëmarrjes në administratën shtetërore të shqiptarëve. Mbi të gjitha njerëzit po diskutojnë pjesën më të rëndësishme të Marrëveshjes, që do të jetë reforma e decentralizimit të pushtetin lokal. Pra edhe pse nuk jemi ende në fund të procesit, mund të them se përshtypja ime është që po ecën përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe 2 vjet pas konfliktit të 2001, incidentet në Maqedoni janë akoma të shpeshta. Mendoni se është e mjaftueshme puna e qeverisë në luftën kundër krimit?

NICHOLAS WHYTE
Le të jemi seriozë për këto incidente. Lloji i rebelimit të organizuar që pamë para dy vitesh dhe që rezultoi me daljen jashtë kontrollit të qeverisë të disa zonave të vendit, nuk është më i pranishëm në Maqedoni. Ajo që shikojmë janë evidenca të niveli të ulët të dhunës. Kuptohet që është shqetësuese, por është dënuar nga të gjithë liderët përgjegjës, të cilët mendojnë se qeveria ka bërë maksimumin për të luftuar krimin. Por gjithsesi nuk është e njëjta situatë si dy vjet më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka raportuar një nivel të lartë të korrupsionit në Maqedoni. Si mund t'i vlerësoni përpjekjet e qeverisë së tanishme në luftën kundër korrupsionit?

NICHOLAS WHYTE
Kanë bërë përpjekje. Sigurisht nuk është e njëjta situatë si një vit më parë, kur ishte e pamundur që gjërat të ecnin përpara në vend pa korruptimin e njerëzve të caktuar. Vazhdojnë të egzistojnë probleme të theksuara. Por nga ana tjetër publiku është tashmë i vetëdijshëm për këtë problem, komuniteti ndërkombëtar gjithashtu dhe janë më pak tolerantë seç kanë qënë mëpërpara. Para 2001 kishte një koncept të përgjithshëm se një nivel i caktuar i korrupsionit ishte çmimi që duhet të paguhej për harmoninë etnike në vend. Mendoj se njerëzit tashmë nuk mendojnë se ka një lidhje direkte midis këtyre dy çështjeve. Harmonia etnike nuk mund të jetë diçka që mund të blihet me para publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, cili është opinionin juaj për rolin aktual të opozitës në Maqedoni, qoftë asaj shqiptare, qoftë asaj maqedonase?

NICHOLAS WHYTE
Jam i kënaqur të shikoj që lideri i ri i VMRO-s po merr një qëndrim më konstruktiv dhe pozitiv sa i përket pjesëmarrjes në vend. Dhe më vjen keq që liderët e PDSh-së praktikisht kanë marrë një pozicion negativ, një pozicion që minon kredibilitetin e tyre në shumë mënyra. Insistimi që Marrëveshja e Ohrit, të cilën ata e nënshkruan, më nuk është e vlefshme, për mua nuk është një interpretim i fakteve të terrenit. Është mjaft e qartë se qytetarët e përgjegjshëm shqiptarë dhe politikanët e përgjegjshëm shqiptarë në Maqedoni, po bëjnë maksimumin që Marrëveshja e Ohrit, për të cilën ranë dakort të gjitha partitë politike 2 vjet më parë, të realizohet dhe ky është roli i përgjegjshëm të cilin duhet të luajnë tani politikanët.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG