Ndërlidhjet

MUNGON BASHKËPUNIMI PRISHTINË-TIRANË PËR HARTIMIN E HISTORISË SË POPULLIT SHQIPTAR


Bekim Lumi, Alma Çupi

Në studimet historike shqiptare është e theksuar mungesa e trajtimit të temave shumë të rëndësishme, por ajo që e thekson më së tepërmi këtë mungesë, është fakti se ne na mungon një tekst akademik i historisë së popullit shqiptar me një qasje të re shkencore, thekson Dr. Jusuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës, duke shtuar se realizimi i një teksti të tillë nuk duhet të ishte i ndërvarur nga aspektet spekullative të qarqeve të caktuara politike.
"Ky duhet të jetë një obligim i përhershëm i shoqërisë kosovare dhe i shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të bëhet pavarësisht ndërrimeve politike, strukturale etj. Duhet të jetë një frymëzim i përhershëm, një qasje thjesht shkencore dhe një program i caktuar, se në çfarë fazash dhe në çfarë mënyre do të realizohet ky koncept", thotë Jusuf Bajraktari. Në këtë kontekst, shton zoti Bajraktari, është i nevojshëm bashkëpunimi i të gjitha institucioneve shkencore dhe i potencialit shkencor brenda hapësirës kombëtare. Duket ndërkaq se diçka e tillë, nuk ka ndodhur me projektin Historia e Popullit Shqiptar I dhe II, të botuar kohë më parë në Tiranë. Në lidhje me këtë çështje Dr. Jusuf Bajraktari shprehet:
"Ne kemi konsideruar se duhet pak më shumë kohë për këto probleme, pasi kemi konsideruar dhe konsiderojmë se historia e popullit shqiptar është një projekt voluminoz, tepër serioz dhe për rrethanat që ka kaluar Kosova, nuk ka qenë e mundur që brenda një periudhe dy vjeçare të kryhet ky projekt. Mirëpo ç'është e vërteta aty nuk kemi gjetur mirëkuptim të plotë dhe kjo punë është përfunduar me pëlqimin e dyanshëm. Ne nuk kemi qenë të gatshëm të shkojmë sipas atyre orientimeve dhe atyre skemave, ndërkaq ata nuk kanë qenë të gatshëm që të lëshojnë pe në kërkesat tona dhe ka përfunduar kështu si ka përfunduar. Ne u kemi uruar daljen e këtyre vëllimeve, por mbetet çështje tjetër sesa janë të pranueshme për rrethanat, për kohën", thekson Dr. Bajraktari, duke shtuar se në çfarëdo rasti janë të hapur për bashkëpunim. Më tej zoti Bajraktari paralajmëroi realizimin e dy projekteve të tjera shkencore në kuadër të Institutit të Historisë së Kosovës.
"Është Historia e Kosovës, një ndër projektet më të rëndësishme. Ky projekt daton më herët, por e kemi futur si prioritet tonin prej këtij viti për një periudhë 5 vjeçare. Projekti i dytë që po ashtu është shumë serioz, është genocidi serb mbi Kosovën dhe shqiptarët në këtë periudhën e fundit 1997-1999. Këto dy projekte e përfshijnë krejt problematikën në fushën e historisë dhe ne jemi në përpjekjet për të angazhuar gjithë potencialin shkencor, jo vetëm brenda Institutit, por edhe potencialin shkencor që është në Kosovë", përfundon Dr. Jusuf Bajraktari.


Bisedë me Prof. Dr. Xhemal Gjeçovi, nëndrejtor i Institutit të Historisë në Tiranë

RADIO EVROPA E LIRË
Pse nuk janë përfshirë historianët nga Kosova në hartimin e tekstit të historisë së popullit shqiptar?

XHEMAL GJEÇOVI
Ky projekt që në nisje ka qenë parashikuar që të realizohet së bashku me forcat shkencore të Akademisë së Shkencave të Universitetit të Tiranës dhe me pjesëmarrjen e studiuesve më të mirë dhe më të njohur të Kosovës. Por, për shkak të vështirësive objektive që dolën në proces nga pala kosovare, vështirësive të komunikimit për ngjarjet që ndodhën në Kosovë, vështirësive të angazhimit të tyre në punë e aktivitete të tjera, nuk u bë e mundur deri në fund të realizohet së bashku ky projekt. Megjithatë me insistimin tonë, përpjekjet tona, por edhe me vullnetin dhe gadishmërinë e treguar nga një numër historianësh dhe studiuesish të njohur nga Kosova, ata morën pjesë individualisht dhe jo institucionalisht në hartimin e vëllimeve të Historisë së Shqipërisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni se cilët janë këta autorë kosovarë, të cilët janë angazhuar në mënyrë individuale në këtë projekt për hartimin e tekstit të historisë së popullit shqiptar?

XHEMAL GJEÇOVI
Për vëllimin e tretë dhe e katërt, prania e tyre do të jetë më e dukshme. Mund të përmend për shembull Prof. Dr. Abdulla Bokrin, historian i njohur, i cili ka shkruar për historinë e arsimit dhe të shkollës në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, Dr. Tahir Avdylin, që ka shkruar për zhvillimet dhe proceset ekonomike në fshat në Kosovë, si dhe disa tekste për ekonominë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, Fehmi Bushkollin, që ka shkruar "Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore", si dhe një numër autorësh të tjerë, si Haki Kosumi, që ka shkruar për një numër problemesh të veçanta të lëvizjes ilegale në Kosovë. Po kështu mund të përmendet edhe pjesa që ka shkruajtur ky autor për bashkësitë fetare në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këto dy vëllime që ju i keni në projekt, keni menduar të përfshini edhe akademikë të tjerë, që mbase dëshirojnë të përfshihen në këtë projekt?

XHEMAL GJEÇOVI
Ne që në fillim të kësaj pune kemi qenë tepër të interesuar që të përfshihen sa më shumë firma autorësh nga Kosova, firma të njohura. Përpjekjet tona kanë qenë maksimale, por duhet thënë që ka patur vështirësi objektive nga autorët kosovarë, ka patur edhe qëndrim subjektiv nga ana e tyre, përmes të cilit kanë vlerësuar që punët që kanë nëpër duar janë më të rëndësishme ose më të vlefshme sesa projekti i këtushëm. Sidoqoftë ne kemi bërë nga ana jonë të gjitha përpjekjet si institucionalisht dhe personalisht, përmes kontakteve, takimeve, shërbimeve në Kosovë dhe në vise të tjera, me pikësynimin për të zbatuar një porosi të qeverisë shqiptare dhe kryesisë së Akademisë së Shkencave që në këtë ndërmarrje me rëndësi shkencore, por edhe politike, kombëtare, të angazhohen sa më shumë studjues nga Kosova.

XS
SM
MD
LG