Ndërlidhjet

BAJRAM KOSUMI: NË KOSOVË NUK KA RRITJE TË SHKALLËS SË DHUNËS


Intervistë me Bajram Kosumin, deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja

RADIO EVROPA E LIRË
Mbrëmë Këshilli i Sigurimit debatoi për Kosovën. Fillimisht si e vlerësoni këtë seancë e cila u thirrë me kërkesën së Beogradit pas vrasjes së dy serbëve në Gorazhdec të Pejës?

BAJRAM KOSUMI
Këshilli i Sigurimit nuk ka koncept tash për Kosovën se çka të bëjë me Kosovën. Prandaj, kjo është situata më e rrezikshme për situatën në Kosovë, kur nuk ka koncept. Deri tash mund të thuhet se ka qenë një koncept i UNMIK-ut, që të ndërtohen institucionet e Kosovës. Ato institucione janë krijuar, kurse UNMIK-u, Këshilli i Sigurimit nuk dëshiron t’ua japë kompetencat këtyre institucioneve dhe nuk di çka të bëjë me Kosovën. Atëherë kjo është pozita dhe koha më ideale për armiqtë e Kosovës që ta godasin Kosovën, kah të mundin dhe si të mundin, çka në fakt edhe po ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit kanë ndodhur disa zhvillime dramatike dhe se autoritetet flasin për rritjen e shkallës së dhunës. Cilat efekte mund t'i prodhojnë këto zhvillime aq më tëpër kur në analiza të ndryshme thuhet se ato janë të drejtuara kundër ardhmërisë së Kosovës?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se janë gënjeshtra të kulluara për qëllime politike të gjitha deklaratat për rritjen e shkallës së dhunës. Faktet që i jep policia e UNMIK-ut, faktet që disponohen publikisht tregojnë se në Kosovë nuk ka rritje të shkallës së dhunës, por është përafërsisht një situatë e ngjashme me vendet e rajonit. Mendoj se ardhmërinë e Kosovës nuk mund ta vrasë as Qoviqi, as një vrasje as çka do dhe se kjo është një metaforë që fatkeqësisht po e kam ndëgjuar edhe prej politikajve shqiptarë, se po vritet ardhmëria e Kosovës. Nuk vritet ardhmëria e Kosovës me një të keqe që ndodh.

RADIO EVROPA E LIRË
Të gjitha këto zhvillime janë përcjellur në Kosovë me reagime individuale të udhëheqësve kosovarë. Në këtë rrafsh, cili do të jetë reagimi i institucioneve, apo më konkretisht Kuvendit, pasi që ju jeni deputet dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës?

BAJRAM KOSUMI
Unë mendoj se mosreagimi nuk është për shkak të pushimeve, por është për shkak të një politike të dobët që udhëheqin institucionet e Kosovës. Përjashtim këtu bën një letër e kryeministrit të Kosovës, i cili i ka dërguar dje Këshillit të Sigurimit, por në përgjithsi, të sjellurit e institucioneve të Kosovës dhe të forcave politike në Kosovë, tregon se këto institucione janë duke bërë një politikë të dobët, një politikë të pritjes. Këto institucione ende fatkeqësisht, lirinë e pavarësinë e Kosovës e konceptojnë si diçka që duhet të tjerët t’ua japin, të tjerët t’ua falin e t’ua sjellin në tavolinë. Mendoj se përgjigja e institucioneve të Kosovës do të duhej të jetë e ashpër tash, sepse ofenziva e Serbisë po hasë në mirëkuptim dhe duhet të tregohet se prodhues i dhunës edhe në Kosovë është Beogradi. Beogradi zyrtarë e jo forcat paramilitare apo partitë e veçanta, por politika zyrtare e Beogradit, se një prej atyre segmenteve të dhunës është Qendra Koordinuese për Kosovën, të cilën e udhëheqë nënkryetari i Qeverisë serbe, Nebojsha Çoviq. Çdo deklaratë e Çoviqit dhe shumicës së udhëheqësve politikë serbë në Kosovë janë deklarata luftënxitëse, deklarata të dhunës dhe se dhuna në Kosovë vjen nga shërbimet sekrete të policisë, ushtrisë dhe të qeverisë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, Qeveria e Beogradit është në fazën e miratimit të një deklarate për Kosovën dhe se gjithashtu, në kartën e saj kushtetuese parashihet që Kosova të jetë pjesë e saj. Cila konsideroni se duhet të jetë përgjigja e institucioneve të Kosovës ndaj veprimeve të Beogradit?

BAJRAM KOSUMI
Për mua personalisht deklaratat që i kanë dhënë përfaqësuesit e UNMIK-ut, apo edhe të institucioneve të Kosovës se futja e Kosovës në preambulën e Kushtetutës së Serbisë nuk përcakton statusin e Kosovës, janë përgjigje të qyqarëve, janë përgjigje të mjera. Madje do të thosha janë përgjigje naïve, fëmijërore. E vërteta është se Beogradi s’mund ta përcaktojë fatin e Kosovës, mirëpo nëse shqiptarët heshtin kështu siq janë duke heshtur dhe duke dhënë deklarata të tilla naïve, natyrisht që ne do të ballafaqohemi me një situatë të rëndë, ndoshta një situatë të eskalimit të luftës në të ardhmen. Qëllimi i politikës në Kosovë dhe qëllimi i misionit të UNMIK-ut, ka qenë dhe do të duhej të ishte që Kosova ta fitojë lirinë e vet pa ndonjë luftë tjetër. Ky ka qenë dhe qëllimi i intervenimit të NATO-s që të ndërpresë luftën në Kosovë. Ndërsa kështu si po krijohen rrethana të reja, Kosovën e kërcënon dhe një luftë e re. Mendoj se përgjigja e institucioneve të Kosovës do të duhej të ishte ndryshe. Do të duhej shpallja e shtetit të Kosovës dhe fillimi i negociatave me UNMIK-un dhe Këshillin e Sigurimit për implementimin e këtij shteti.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër Bashkësia Ndërkombëtare vazhdimisht thotë se statusin e Kosovës nuk mund ta përcaktojë as Prishtina e as Beogradi.

BAJRAM KOSUMI
Se Bashkësia Ndërkombëtare e thotë gjithmonë se askush nuk mund ta përcaktoj njëanshëm statusin e Kosovës është në pajtim me filozofinë e tyre, sepse ata nuk kanë kurrëfarë koncepti çka të bëjnë me Kosovën tash. Por, se shqiptarët duhet ta pranojnë një koncept të tillë, kjo është çmenduri politike. Si mund të thuhet se askush s’mund ta përcaktojë, ose s'ka të drejtë as Prishtina e as Beogradi. Si mundem unë si njeri t’ia lejoj fatin tim dhe fatin e popullit tonë në duart e dikujt krejt tjetër, të paanshëm. Çka reagon Bashkësia Ndërkombëtare ajo është çështje tjetër, ajo është punë e saj, mund të reagojnë apo bërtasin njëherë, por do të fillojnë të pajtohen. Por, çka është detyrë e Kuvendit të Kosovës dhe cila është përgjigja më e mençur politike në këtë moment, është ajo që e thashë unë, të shpallet Pavarësia e Kosovës dhe të fillojnë negociatat me Këshillin e Sigurimit dhe UNMIK-un për implementimin e kësaj pavarësie.
Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG