Ndërlidhjet

HARI HOLKERI: BISEDIMET PRISHTINË-BEOGRAD MUND TË FILLOJNË NË SHTATOR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i UNMIK-ut, Hari Holkeri shpreson se mesi i shtatorit mund të shënojë fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështje teknike. Këtë deklaratë zoti Holkeri e ka bërë sot pas takimeve që ka pasur me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesin e koalicionit të serbëve Kthimi, Dragisha Kërstoviq.
Holkeri tha se me bashkëbiseduesit kishin folur për sinjalet nga Samiti i Selanikut, se si dhe kur duhet filluar dialogu apo bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, mirëpo dera është e hapur dhe ne mund ta ecim nëpër të, tha Holkeri. “Pas bisedimeve me të gjitha palët, shpresoj se do të jem në gjendje të bëj diçka së paku para gjysmës së shtatorit”, tha administratori Holkeri duke shtuar se mesazhet e njëjta i përçon te të gjithë dhe përpiqet edhe të marrë parasysh sugjerimet e të gjitha palëve.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, zoti Hashim Thaçi tha se bisedime duhet të ketë, por Beogradi nuk mund ta mbajë peng statusin e Kosovës, pavarësisht nga veprimet e fundit të Beogradit zyrtar. “Kontakte duhet të ketë ndërmjet Prishtinës dhe vendeve fqinje, por vetëm si vende fqinje dhe si nivele të barabarta, përndryshe Beogradi nuk mund ta mbajë peng statusin e Kosovës dhe Kosova duhet të jetë e pavarur, pavarësisht nga qëndrimet e Beogradit apo të ndonjë faktori tjetër”, tha zoti Thaçi. Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se ishte përpjekur t’i sqaronte zotit Holkeri se prioritet numër një duhet të jetë kompletimi i qeverisë, punë nga e cila varen edhe zhvillimet e tjera dhe suksesi i procesit dhe duket se zoti Holkeri ka një vullnet dhe gatishmëri për këtë. Sa i përket ndikimit të zhvillimeve në Serbi lidhur me Kosovën, zoti Haradinaj tha: “Ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë procesin në Kosovë në mënyrën e filluar dhe natyrisht me institucionet e Kosovës. Kemi dhënë prova deri më tash se jemi të përgjegjshëm ndaj partnerëve tanë dhe ndaj njerëzve të Kosovës, por ne do të lëvizim në drejtim të përmbushjes së synimit tonë për një Kosovë të pavarur", tha Haradinaj, sipas të cilit me Beogradin mund të ketë kontakte dhe bashkëpunim. “Kontakti me Beogradin, shkëmbimi dhe bashkëpunimi janë të dobishme dhe ne do t’i japim mbështjetje kontaktit që do të jenë për çështje praktike, por jo dialogut dhe negociimit politik”, tha kryetari i AAK-së.
Përshtypje pozitive ka fituar nga takimi me Holkerin edhe shefi i grupit parlamentar të koalicionit Kthimi, zoti Dragisha Kërstoviq, sipas të cilit rezoluta 1244 do të jetë pika orientuese e zotit Holkeri. "Zoti Holkeri më siguroi se do të punojë në interes të të gjithëve dhe do të angazhohet për dialogun Prishtinë –Beograd dhe se do të bëjë gjithçka që ky dialog të bëhet sa më shpejt", tha Kërstoviq. Ai tha se Holkeri do të angazhohet edhe për arritjen e sigurisë së plotë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes.
Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara Hari Holkeri ka përfunduar sot takimet e para të punës me liderët politikë të Kosovës pasi dje gjatë ditës pati takuar drejtuesit e të gjitha institucioneve të Kosovës.



XS
SM
MD
LG