Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: REZOLUTA 1244 KISHTE PËR QËLLIM LARGIMIN E TRUPAVE TË MILLOSHEVIQIT NGA KOSOVA


Intervistë me analistin e Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh Kuvendi i Serbisë miratoi Deklaratën për Kosovën. Kishte shumë kundërshtime nga liderët politikë të Kosovës. Ata thonë se në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova përmendet si pjesë e ish Jugosllavisë e jo e Serbisë. Si e komentoni ju tërë këtë situatë?

PATRICK MOORE
Kur Serbia dhe Mali i Zi e krijuan këtë shtet të përbashkët, ata u pajtuan ndërmjet veti që të drejtat nga rezoluta 1244 të kalojnë nga Jugosllavia në Serbi. Nuk jam jurist, por sa mbaj mend unë askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk ngriti ndonjë vërejtje të madhe ndaj këtij zhvillimi. Por, është çështje e juristëve të tregojnë se çka është substancë politike e rezolutës 1244? Kjo rezolutë nuk është diçka e përhershme. Ajo është e përkohshme. Qëllim i këtij dokumenti ishte që të krijojë një kornizë juridike që trupat e Millosheviqit të largohen nga Kosova. Ne e dimë këtë. Pra, e rëndësishme ishte substanca, jo forma. Ajo që serbët i udhëhoqi ta miratojnë këtë deklaratë është se ata brenda 12 muajsh i presin zgjedhjet. Ata kanë probleme me korrupsion, me varfëri, me kriminalitet. Duke mos ditur se si t'ja dalin me këto çështje, ata prej asgjëje fillojnë të bëjnë zhurmë për Kosovën, për Preshevën. Unë e lexova deklaratën së bashku me një analist politik serb. Ai e përshkruajti këtë si një "mashtrim të vjetër ballkanik", sipas të cilit politikanët i zhvendosin problemet; nëse nuk mund të merren me çështje më kryesore të vendit, ata angazhohen në çështjet nga fundi i listës së prioriteteve dhe këto gjëra i paraqesin si gjërat më të rëndësishme. Është lehtë për ta të flasin për Kosovën sepse e tërë ajo që mund të bëjnë është – të flasin. Tash disa prej tyre, siç është gjenerali Kërga, po flasin për dërgimin e sërishëm të trupave në Kosovë. Por ai u përmirësua nga ministri i mbrojtjes Tadiq, i cili tha se kjo gjë nuk është e mundshme.Ai poashtu u tërhoqi vërejtjen politikanëve që të mos luajnë me zjarr. Mendoj se kjo ishte një vërejtje e mençur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeadministartori i Kosovës, Hari Holkeri tha se statusi i Kosovës do të definohet nga Këshilli i Sigurimit e jo në Beograd apo në Prishtinë. Duke u nisur nga kjo, çfarë ndikimi mund të ketë kjo deklaratë e Serbisë në statusin final të Kosovës?

PATRICK MOORE
Po, kjo është saktësisht ajo që tha zoti Holkeri nuk ka kurrfarë ndikimi. E vetmja gjë për të cilën shërben kjo deklaratë, ndoshta së bashku me fitimin e ndonjë vote për DOS-in nga nacionalistët, është që autoritetet serbe, në sytë e shumë njerëzve në Ballkan dhe më gjërë, të duken "shumë të pamençur", sepse, siç thashë, në vend që të merren me çështje të varfërisë, me ato të kriminalitetit, pastaj me korrupsion, ata po flasin për diçka për ç'gjë nuk mund të kenë kurrfarë efekti.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke folur për statusin final të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka thënë në intervistën për radion tonë, se "statusi final do të vendoset gjatë vitit 2005". Në këto rrethana, sipas jush, a është kjo diçka që do të mund ta shohim?

PATRICK MOORE
Unë nuk jam i sigurit se a do të jetë 2004, 2005 apo viti 2006 apo kurdoqoftë. Unë nuk mendoj se është me rëndësi viti, sepse kjo nuk është diçka që mund të parashihet tash. Ajo që unë mendoj se është pikë e rëndësishme është që tash për këtë çështje të krijohen kushtet...kjo është çështje në të cilën duhet të përqendrohemi. Kjo do të thotë ndërtimin e institucioneve, krijimin e ekonomisë së tregut, ndaljen e korrupsionit dhe të dëshmohet para botës se shumica shqiptare në Kosovë është e aftë që t'i trajtojë serbët dhe minoritetet e tjera sipas standardeve më të mira evropiane.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG