Ndërlidhjet

M. BILALLI: PËRMES SHKAKTIMIT TË TENSIONEVE SYNOHEN PËRFITIME POLITIKE


Mersel Bilalli, analist nga Shkupi

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Merseli, si e komentoni operacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes në rajonin e fshatit Brezë?

MERSEL BILALLI
Fatkeqësisht edhe kësaj rradhe mund të them se janë në pyetje lojërat politike, të cilat kanë prapavijë të marketingut politik dhe qëllimit politik, nisur prej principit se një situatë margjinale duhet t'a zmadhosh dhe më tej, të shpallesh si person në kushte apo i aftë, për t'a zgjidhur atë situatë. I gjithë qëllimi ka qenë të bëhet një distancim rreth asaj që ndodhi dy vjet më parë dhe tani, sepse struktura e atëhershme nuk ishte e aftë të zgjidhte problemet në mënyrë profesionale, ndërsa e tanishmja mund t'a bëjë këtë punë.

RADIO EVROPA E LIRË
A i mbështetni ju aksione të tilla të organeve shtetërore, të cilat thonë se po zhvillojnë një fushatë kundër grupeve kriminale?

MERSEL BILALLI
Besoj se nuk ka qytetar, i cili nuk është kundër krimit dhe zgjidhjes së problemit të kriminalitetit, qoftë edhe me variante ose metoda, të cilat mund të jenë me ngjyrë apo amballazh etnik. Megjithatë në qoftë se e gjithë ajo ka dimension dhe qëllim politik dhe dimensionimi i paraqitjes në opinion dhe i formës së ndërmarrjes së aksioneve, i jep karakter artificialisht krijimit të një psikoze të luftës, atëhere diçka nuk është në rregull me strukturat, të cilat e udhëheqin një gjë të tillë. Unë mendoj se nuk ka qenë aspak problem që strukturat, të cilat kanë një dosje të madhe në aspektin e kriminalitetit, që të munden në mënyrën më normale si të gjitha shtetet e civilizuara, të kapen dhe të përgjigjen në kuadër të sistemit gjyqësor. Megjithatë në qoftë se e gjithë kjo merr ngjyrë të dimensionimit ushtarak, atëhere normalisht që dikush ka përfitim politik nga kjo situatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila mund të jetë ana tjetër e ndërmarrjes së këtij aksioni policor?

MERSEL BILALLI
Në mungesë të rezultateve konkrete në segmentin ekonomik dhe social, të gjitha ato premtime të cilat u dhanë nga struktura e tanishme e pushtetit, praktikisht bien në ujë, sepse nuk kemi as rezultate fillestare që vëmendja të mund të hidhet në segment tjetër dhe sigurisht ndërmerren edhe aksione të tilla. Kështu që e gjithë ajo tani shkon në heshtje, sa i përket aspektit ekonomik, duke thënë se tani kemi problem shumë më të madh, problemin e egzistencës, ose sigurisë së Maqedonisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ndikojnë këto aksione në situatën e sigurisë dhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend?

MERSEL BILALLI
Duket se njerëzit kanë një pjekuri shumë më të madhe politike tani. Kultura politike tek qytetarët zhvillohet në mënyrë më të shpejtë, kështu që të gjithë këtë problem e shohin si kalkulim i përgjithshëm për hir të pushtetit, dhe këtu nuk ndajnë as segmentin shqiptar as segmentin maqedonas.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG