Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS ENDE NUK DINË NË ÇFARË ANE DO JENË NË BISEDIMET TEKNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Serbët e Kosovës ende nuk e dinë nëse do të jenë pjesë e delegacionit të Prishtinës apo të Beogradit në bisedimet e paralajmëruara për çështje teknike, ndërkohë që e shohin këtë një vendim të rëndësishëm politik, i cili nuk mund të merret pa sugjerimin e Beogradit zyrtar.
Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar të serbëve në Kuvendin e Kosovës, tha për Evropën e Lirë se ende nuk e dinte se në cilën anë të tavolinës do të uleshin serbët: "Unë në të vërtetë nuk e di në këtë moment t’u them se në cilën palë do të jenë serbët e Kosovës. Di se është me rëndësi që në këto bisedime, serbët e Kosovës të jenë në prezent, por unë nuk e di në cilën anë dhe shpresoj që kjo të dihet shpejt”, tha Kërstoviç, sipas të cilit për të definuar këtë çështje është i nevojshëm një vendim shumë i rëndësishëm politik.
Ndërkaq, analisti Ylber Hysa, drejtor i Institutit Kosovar për Iniciativa Qytetare, mendon se ky vendim para së gjithash u takon vetë serbëve të Kosovës, me të cilin ata do të dëshmojnë se ku e shohin të ardhmen e tyre: “Ky duhet të jetë një vendim, i cili në fakt parasheh shumë gjëra për vetë qytetarët e Kosovës dhe në këtë aspekt duket se deri tani, elita politike serbo-kosovare, më shumë është treguar e varur nga Beogradi, sesa është imponuar me një politikë që mbron interesat politike të komunitetit", thotë zoti Hysa, duke e parë këtë si vetëm njërin nga problemet teknike, pasi ka edhe probleme të tjera: “Kush do t’i përfaqësojë kosovarët në këto biseda, a do të jetë ekzekutivi apo koalicioni i gjerë partiak dhe për cilat çështje do të bisedohet? Kjo vlen edhe për palën serbe; a do të jetë përfaqësim nga e ashtuqjatura Serbi e Mali i Zi, apo vetëm nga Serbia, sepse duket që dialogu më shumë ka qenë një agjendë e imponuar nga jashtë, sesa ka qenë një shprehje e pozicionit të akterëve lokalë në Prishtinë dhe në Beograd”.
Ndërkohë, kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, ka thënë qartë se nuk ka asnjë dyshim që serbët e Kosovës do të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jo të Beogradit.
Mirëpo, pavarësisht se në cilën anë do të ulen serbët, koordinatori ndërministror në qeverinë e Kosovës, Milorad Todoroviç, thotë se për këtë duhet të vendosin të gjitha nivelet, që nga Beogradi zyrtar e deri te Kisha Orthodokse: “Kushdo nga serbët që do të vendoste të marrë pjesë në bisedime në anën prishtinase, do të duhej të kishte një përkrahje të gjerë të komunitetit serb në Kosovë, pastaj në organet shtetërore të Serbisë dhe në Kishën Orthodokse, ndërkohë që edhe me vetveten do të duhej të qartësonte nëse është i gatshëm për bisedime të tilla", tha Todoroviç.
Mirëpo, për këtë zoti Ylber Hysa mendon: “Kjo do të thoshte se ata më shumë e shohin veten nën Beogradin, sesa nën Kosovën. Ky vendim më shumë reflekton për të ardhmen, edhe pse nuk do të ishte ndonjë befasi, duke pasur parasysh të kaluarën”.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës, para së gjithash zyrtarët e qeverisë, që do të jenë të përfshirë drejtpërdrejt në çështjen e bisedimeve, ndërkohë nuk janë prononcuar rreth këtij problemi, duke qenë të zënë me faktin, se cili është institucioni që duhet t’i japë mandatin delegacionit kosovar në bisedimet me Beogradin për çështje teknike.




XS
SM
MD
LG