Ndërlidhjet

SERWER: ROLI I UNMIK-UT NË BISEDIME - PROBLEMATIK


Daniel Serwer, Drejtor i Projektit për Ballkanin, pranë Institutit Amerikan të P

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, cilët janë ndërmjetësit e mundshëm në bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe cili mund të jetë roli i zotit Holkeri në këto bisedime?

DANIEL SERWER
Pikëpamja ime është se roli i UNMIK-ut është problematik, sepse UNMIK-u ka ende shumë pushtet, që do të thotë se duhet të jetë kjo administratë, që të adresojë një numër çështjesh të rëndësishme që mund të jenë në agjendë në bisedime. Është shumë e vështirë për një organizatë që të jetë edhe palë, edhe ndërmjetëse në këto bisedime. Përvoja sugjeron se vetëm kur bashkohen Bashkimi Evropian me Shtetet e Bashkuara, këto lloj bisedimesh janë të suksesshme. Deri tani nuk kam parë diçka konkrete për këto bisedime, ndonëse ato janë diskutuar gjerësisht në publik. Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të përfshihen me gjithë fuqinë e tyre dhe palët nuk duhen lënë vetëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Palët duhet të përfaqësohen në këto bisedime në nivel ekspertësh apo në nivel më të lartë?

DANIEL SERWER
Patjetër duhet kaluar përmes nivelit të ekspertëve, sepse çështjet teknike janë ato që do të diskutohen. Por në të njëjtën kohë nuk mund të pritet që ekspertët të arrijnë në rezultate të arsyeshme, pa patur mbështetjen e përfaqësuesve politikë. Është e qartë se suksesi në bisedimet teknike është ajo çfarë dëshiron politika. Pra duhen disa sinjale nga përfaqësuesit politikë, që kërkojnë disa takime të nivelit të lartë, ndoshta takime të nivelit ministror. Por kjo mbetet për t'u vendosur nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe OKB-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mendimit tuaj, këto bisedime duhet të jenë bisedime mes Kosovës dhe Unionit Serbi Mali i Zi, apo mes Kosovës dhe Serbisë?

DANIEL SERWER
Ndonëse mendimi im nuk do të ndryshojë diçka, bazuar në rezolutën 1244, e cila bën fjalë për Jugosllavinë, pasardhëse e të cilës është Serbia Mali i Zi, besoj se bisedimet duhet të jenë me Serbinë dhe Malin e Zi. Bashkësia ndërkombëtare përpiqet të ruajë një lloj mjegullsie sa i përket kësaj pike, duke përdorur togfjalëshin bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Por kur vjen momenti që duhet të ulesh në tryezën e bisedimeve, duhet të jenë emrat e pjesëmarrësve dhe duhet të jetë e qartë se cilat institucione përfaqësohen prej tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo jeni kthyer nga Kosova dhe Berlini. Sipas jush, sa janë të gatshme palët që të fillojnë dialogun dhe nëse po, kur mund të ndodhë?

DANIEL SERWER
Nuk kam qenë në Beograd së fundi, por ka shumë shenja që tregojnë se Beogradi ka filluar të përgatitet për këto bisedime. Ka raporte të ndryshme, të cilat lidhen me bisedimet, jo vetëm nga qeveria dhe nga parlamenti, ky i fundit miratoi dhe një rezolutë mbi Kosovën, por edhe nga organizatat joqeveritare. Pra shikoj shumë aktivitete në këtë drejtim. Ndërsa mendoj se ka më shumë hezitim për bisedime të hapura me Beogradin nga ana e Prishtinës, ku shkuarja në bisedime me Beogradin nuk shihet si diçka vërtet e dëshirueshme. Gjatë qëndrimit tim dhjetë ditor, jam bindur, pavarësisht dyshimeve, se ka arsye të mjaftueshme që Kosova të dëshirojë të bisedojë me Beogradin dhe ka interesa të drejtpërdrejta të Kosovës, që lidhen me këto bisedime. Këto lidhen me personat e zhdukur, çështja e dokumentacionit, veçanërisht kthimi i tij nga Serbia në Kosovë, sepse rregjistrat e tokës, kadastrat apo ato civile janë marrë gjatë dhe pas luftës. Njëherësh janë çështjet e kthimit të veprave kulturore etj. Pra ka një sërë çështjesh, nga diskutimi i të cilave, Kosova do të mund të përfitojë. Por njëherësh ka edhe fusha të tjera si tregtia, komunikacioni, çështjet e sigurisë dhe krimit të organizuar. Mendoj se gjithnjë e më shumë po pranohet në Prishtinë fakti se është e nevojshme të bisedohet me Beogradin. Dhe siç e dini ne ishim të përfshirë në ndihmën për përgatitjen e institucioneve vendore, ku përveç një vullneti të mirë, pashë dhe aftësinë e udhëheqësve për t'u përgatitur. Por nuk mund të them se ata janë të gatshëm sot për këto bisedime sepse ka shumë punë për të bërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Instituti amerikan i Paqes, ka qenë organizator për aftësimin dyjavor të udhëheqësve shqiptarë, që u mbajt në Vushtri. Sipas jush, cilat janë aftësitë e udhëheqësve kosovarë për negociata?

DANIEL SERWER
Mendoj se ata kanë aftësi të mira. Fakti që ne ishim atje për t'i ndihmuar ata në përgatitje, nuk tregon se ata ishin të paaftë. Ato që bëmë ne me ta janë gjëra normale që amerikanët i bëjnë gjithmonë para bisedimeve. Këtu bëhet fjalë për çështje të tilla si analiza e interesave të të dyja palëve, përpjekja për të kuptuar cilat janë teknikat efektive që mund të përshtaten me situatat e këtij lloji.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG