Ndërlidhjet

PLANI DO T'U PARAQITET PALËVE NË BISEDIME PAS 23 SHTATORIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Draftet e botuara sot në shtypin ditor kosovar, kanë qenë drafte, mbi të cilat Grupi i Kontaktit ka biseduar në lidhje me bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ndërsa shefi i UNMIK-ut ende nuk ka propozuar planin përfundimtar për këto bisedime, ka thënë sot Izabell Karlovic, në lidhje me botimin një drafti që sot shtypi vendor e ka prezantuar si propozim për mënyrën se si do të organizohet dialogu. Zëdhënësja e UNMIK-ut, tha se shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, do të propozojë planin e tij final për bisedimet teknike, pasi që t’i takojë këtë të premte liderët kosovarë si dhe pasi Grupi i Kontaktit të takohet në Nju Jork, ku bisedimet Prishtinë- Beograd do të jenë një prej temave kryesore:
"Shefi i UNMIK-ut do t’ua propozojë palëve në bisedime planin përfundimtar, pasi të mbahet takimi i Grupit të Kontaktit mbahet në Nju Jork më 23 shtator”. Karlovic tha po ashtu, se është herët të paragjykohet procesi i bisedimeve, por ka përsëritur se Harri Holkeri dhe bashkësia ndërkombëtare po punojnë që procesi i bisedimeve të fillojë sa më shpejt.
Në anën tjetër propozimi i drafteve të ndryshme për bisedimet teknike me Serbinë, pa konsultimin paraprak të institucioneve të Kosovës, për qeverinë e Kosovës konsiderohen si anashkalim i institucioneve të zgjedhura, ka thënë sot kryeministri Bajram Rexhepi.
Rexhepi e ka quajtur injorim të institucioneve të Kosovës, vazhdimin e praktikës së tanishme, që dialogu me Beogradin nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të diskutohet vetëm me Beogradin, kurse më pas Prishtinës t’i propozohen rezultatet e këtyre bisedimeve:
“Të gjitha këto përgatitje janë bërë me faktorin ndërkombëtar dhe Unionin Serbi Mali i Zi, ndërsa për institucionet e Kosovës informimi zyrtar do të jetë gjatë ftesës që na ka bërë shefi i UNMIK-ut të premten. Prandaj mendoj se kjo është një formë e papranueshme, pra një anashkalim i institucioneve kosovare”, tha kryeministri i Kosovës.
Rexhepi ka thënë po ashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet ta ketë parasysh se Kosova para se të hyjë në këto bisedime, ka nevojë për një konsensus të brendshëm politik. Mbi këtë bazë, tha ai, Kuvendi i Kosovës do të diskutojë nesër për dialogun me Beogradin dhe se qeveria më pas do të hartojë strategjinë e vet për bisedimet teknike duke u mbështetur në konkluzionet që do të nxjerrë Parlamenti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG