Ndërlidhjet

UNMIKU DO PUNOJË PËR REALIZIMIN E TAKIMIT TË 14 TETORIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u do të bëjë përpjekje që secila palë t’i përmbahet datës tashmë të përcaktuar të fillimit të bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si njëri prej standardeve që duhet përmbushur para zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, kanë thënë sonte në mbrëmje zyrtarë të UNMIK-ut, duke komentuar vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës, për të shtyrë marrjen e një vendimi lidhur me pjesëmarrjen apo jo të qeverisë së Kosovës në këto bisedime. Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Izabela Karlovicz, tha për Evropën e Lirë se kjo duhet të bëhet për hir të të ardhmes së Kosovës:
"Data dhe vendi i fillimit të bisedimeve janë përcaktuar, ndërsa zyrtarë prominentë amerikanë dhe evropianë kanë treguar gadishmëri për pjesëmarrje dhe ajo që mund të them është se duhet t’i përmbahemi kësaj date për të ardhmen e Kosovës," tha zëdhënësja Karlovicz, ndërkohë që më herët gjatë ditës, Stephen Lehne, i dërguar i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së Javier Solana, bëri të ditur se bashkësia ndërkombëtare nuk mendon të shtyjë bisedat, për arsye se deklarimi i tyre është bërë që në shkurt dhe tani është koha që këto bisedime të fillojnë:
"Mendoj se shtyrja e vazhdueshme është një gjë e rrezikshme që do të krijojë shumë frustrime dhe destruktivitet dhe shpresoj se ditët e ardhshme do të shfrytëzohen për të ndërtuar një ndjenjë dhe për të krijuar një klimë të favorshme për të ecur përpara," tha Stephen Lehne. Këto deklarata Lehne i ka bërë pas një takimi me kryeministrin Rexhepi, duke shtuar se ky nuk është dialog për statusin:
"Të gjithë e kanë bërë të qartë se ky nuk është dialog për statusin dhe nuk do të ketë vendim për të ardhmen, por është pjesë e standardeve, e normalizimit dhe e ndërtimit të mirëbesimit dhe e afrimit drejt Evropës," tha Stephen Lehne, sipas të cilit bëhet fjalë vetë, për çështje teknike, mirëpo nga ky rajon kohët e fundit nuk ka pasur lajme të mira, prandaj takimi i Vjenës do të ishte një hap i mirë për imazhin e Kosovës. Por kryeministri Rexhepi tha se nuk mund të dëmtoheshin institucionet e Kosovës, për një imazh provizor, siç e quajti ai:
"Unë qëndroj pas asaj që kam propozuar në parlament, ne i shprehim të gjitha arsyet pse nuk e shohim të suksesshëm këtë dialog edhe çështjen e kompetencave edhe të tjera. E dimë se nëse nuk shkohet imazhi i Ksoovës dëmtohet pak, por gjithmonë duhet vlerësuar nëse është më me rëndësi një imazh provizor i mirë, apo që pa një konsensus të tre grupeve kryesore parlamentare të dëmtohen institucionet tona e të shkaktohet një tensionim," tha Rexhepi, duke shpresuar për arritjen e një konsensusi. Ndërkohë, zëdhënësa e UNMIK-ut Izabela Karlovicz tha se se zoti Holkeri po shkon sipas synimeve të bashkësisë ndërkombëtare për të përmbushur standardet, pasi dialogu me Beogradin është një standard i rëndësishëm dhe me liderët e Kosovës ka diskutuar mundësitë dhe modalitetet e përmbushjes së këtij standardi:
"Udhëheqja e Kosovës e ka përkrahur këtë iniciativë në parim, mirëpo ata kanë pasur pyetje të arsyeshme për temat e bisedimeve dhe për rezultatet e mundshme," tha zëdhënësja Karlovicz, sipas të cilës, zoti Holkeri, që këto bisedime i konsideron si një standard të rëndësishëm, do të vazhdojë konsultimet me bashkësinë ndërkombëtare për të siguruar përmbushjen e tyre, pasi standardet para statusit mbetet formula udhëheqëse për UNMIK-un.




XS
SM
MD
LG