Ndërlidhjet

INTERVISTË ME LENARD COHEN, PROFESOR NË UNIVERSITETIN 'BRITISH COLUMBIA' NË KANADA


COHEN: SHQIPTARËT NUK DO TË MUND TË JETOJNË NË NJË SHTET SERB NË TË ARDHMEN

RADIO EVROPA E LIRË
Nga mesi i tetorit do të fillojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjet teknike. Do të bisedohet për energjetikën, transportin, kthimin e të zhvendosurve, fatin e të zhdukurve dhe luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Çështja e statusit të Kosovës tani nuk do të bisedohet.
Si e shihni të ardhmen e Kosovës?

LENARD COHEN
Mendoj se mund të arrihet një progres i caktuar në këto bisedime fillestare për çështjet teknike. Por plagët emocionale dhe ndjenjat e thella të lindura për Kosovën ende janë të pranishme në mentalitetin e serbëve dhe shqiptarëve. Nuk mendoj se shumica në Kosovë, 95 % e shqiptarëve do të mund të jetojnë në një shtet serb në të ardhmen. Jemi në situatën, në të cilën Bashkimi Evropian përpiqet t'i ruajë këto tërësi territoriale dhe raportet mes tyre, me shpresë se ekonomikisht do të zhvillohen, si dhe do të krijojnë vlera të reja në të ardhmen; gjithashtu me shpresë se Kosova dhe Serbia, Mali i Zi dhe Serbia dhe pjesët e Bosnjes, do të lidhen me njëra tjetrën në mënyrë që do t'i çojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Sa i përket Kosovës, mendoj se Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar, do të përpiqen sa më shumë t'a shtyjnë pavarësinë e saj, të cilën shqiptarët e Kosovës e synojnë. Dhe kjo do të bëhet në kuadër të tendencave të BE-së që i përmendëm më parë, me shpresë se ndërkohë do të ndodhin ndryshime të sistemit të vlerave dhe zhvillimit ekonomik. Kuptohet se kjo do të krijojë frustrime te popullata shqiptare, ashtu si dhe tek pala serbe.
Mundësia e dytë është një ndarje e butë, që pjesës veriore të Kosovës t'i jepet një autonomi në kuadër të Kosovës së pavarur të njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Shumica e vëzhguesve nuk do të dëshironin të shohin e as të mbështesin idenë e shkëputjes së pjesës veriore të Kosovës dhe bashkimit të saj me Serbinë. Ose për shembull, që republika e serbëve të Bosnjes të ndahet nga Bosnja dhe t'i bashkohet shtetit serb apo serbo malazez, si kompensim për pavarësinë e Kosovës. Jemi pra në një periudhë kur Bashkimi Evropian do t'i mbështesë unionet e lirshme të tërësive territoriale sovrane dhe mendoj se kjo periudhë do të zgjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Unioni i lirshëm Serbi Mali i Zi, i krijuar nën patronazhin e Bashkimit Evropian, është parashikuar për tre vjet. Ndërkohë në Serbi po forcohet lëvizja për pavarësi. Nga ana tjetër egziston problemi i harmonizimit të sistemeve ekonomike të dy republikave, për shkak të madhësisë dhe interesave të ndryshme që kanë. Cilat janë gjasat e këtij Unioni pas tre vjetësh?

LENARD COHEN
Nuk jam ndonjë optimist i madh për gjasat e Unionit Serbi Mali i Zi. T'ju përkujtoj se sfida më e madhe në rajon është mënyra e udhëheqjes së vendeve. Me udhëheqës të vërtetë, të përkushtuar ndaj bashkëpunimit dhe afrimit Unioni do të mund të funksionojë. Por në bazë të të dhënave që disponoj, mund të nxjerr përfundimin se elita malazeze formalisht është për bashkësinë, por në realitet synon pavarësinë. Për shkak të një qasjeje të tillë, të kombinuar me dështimin e harmonizimit të sistemeve ekonomike, edhe në Serbi shumica e politikanëve dhe qytetarëve, gjithashtu do të kthehen nga koncepti i shtetit të pavarur. Dhe në fund, definitivisht do t'a ndërpresin Unionin me Malin e Zi. Prandaj jam pak pesimist sepse përderisa nuk paraqitet një gjeneratë e re e politikanëve, me qasje krejtësisht të reja, këto shtete, siç i quaj unë "sintetike" nuk mund të funksionojnë vetëm me mbështetjen e fuqive nga jashtë, bashkësisë ndërkombëtare, apo Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në 5 tetor u mbushën 3 vjet nga përmbysja e Millosheviçit, kur miliona njerëz dolën nëpër rrugët e Beogradit t'a përzënë "kasapin" e Ballkanit. Kjo shkaktoi pasoja si te popullata e Serbisë, ashtu dhe në rajonin e trazuar të Ballkanit. Edhe pse deri diku arriti të bëjë disa reforma, për t'u inkuadruar në bashkësinë ndërkombëtare dhe për të shëruar plagët nga e kaluara, a mendoni se megjithatë Serbia sërish është në udhëkryq?

LENARD COHEN
Mendoj se Serbia vërtet është në udhëkryq. Pas aq vitesh të shtyrjes së tranzicionit, një herë në kohën e Millosheviçit, një herë 3 vjet pas tij, që për fat të keq paraqet një kohë të humbur, Serbia përsëri ballafaqohet me sfidën e progresit të vërtetë, ose fundosjes së mëtejme në batakun e grindjeve dhe politikave nacionaliste, të cilat mund t'a kthejnë edhe më mbrapa. Elita intelektuale serbe është e vetëdijshme për këtë udhëkryq, por fatkeqësisht nuk ka konsensus për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në librin tuaj, "Gjarpri nën sqetull", ju shkruani për mekanizmin që Millosheviçit i mundësoi të vijë në pushtet. Tani pas rënies së tij, a mendoni se i tërë ai sistem i vlerave në kuptimin psikologjik, është çrrënjosur dhe shpërbërë?

LENARD COHEN
Jo në tërësi. Edhe më tej egzistojnë burime të fuqishme të ultranacionalizmit dhe nacionalizmit agresiv. Sot, në fillim të çdo diskutimi mbi nacionalizmin, duhet të themi se më nuk jemi dëshmitarë të një nacionalizmi ekspansionist, agresiv dhe jotolerant si në vitet e mëparshme, që kryesisht ishte karakteristikë për regjimin e Millosheviçit. Shumë analistë vërejnë se tani kemi një lëvizje drejt nacionalizmit të kufizuar, por rreziku qëndron në lidhjet e tij me vështirësitë ekonomike që dalin nga problemet e tranzicionit të vonuar. Këtu janë gjithashtu edhe çështjet ende të pazgjidhura të Kosovës dhe pozicioni i Serbisë në dinamikën e sotme të zhvillimit të Evropës Juglindore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur prisni që Bashkimi Evropian t'u bëjë thirrje vendeve të Evropës Juglindore për t'iu bashkuar Unionit? A mund të jetë kjo për 5 –10 apo 20 vjet?

LENARD COHEN
Mund të presim se kjo do të zgjatë mjaft gjatë, mund të jenë 10- 20 vjet. Por kini parasysh se Evropa sot shumë para investon në Evropën Juglindore duke ofruar ndihma të ndryshme. Në rajonet ku dominon mostoleranca etnike, është e pranishme me trupa, për të mbikqyrur situatën, për të trajnuar policinë etj. Mendoj se kjo është përparësi për Evropën Juglindore. Ky rajon nga Evropa pranon ndihma si kurrë më parë. Por pavarësisht nga gjithë kjo do të kalojë shumë kohë derisa t'i bashkohet Unionit. Dhe sa më shpejt që vendet përreth do të ecin përpara, situata mund të jetë gjithnjë më e papërshtatshme për dinamikën e politikës së vetë Serbisë.

Intervistoi Dragan Shtavljanin
XS
SM
MD
LG