Ndërlidhjet

OSBE: STRUKTURAT PARALELE NË KOSOVË PENGESË REALE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Raporti i fundit i OSBE-së rreth ekzistimit të strukturave paralele në Kosovë dhe pengesave reale që shkakton ky fenomen në funksionimin e përgjithshëm institucional në Kosovë, është konstatim real i gjendjes në Kosovë, thonë zyrtarë të lartë të pushtetit lokal në Kosovë. Mirëpo, ky raport vjen me një vonëse prej katër vjetësh, thotë kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Faruk Spahia. Ai tha po ashtu se e sheh pak sa të çuditshëm propozimin e OSBe-së se si të tejkalohet situata, respektivisht shpërbërjen e strukturave parale, pasi sipas tij, ato janë krijuar në mungesë të zbatimit të ligjit dhe shpërbërja e tyre do të mund të bëhej me zbatimin e ligjit.
“Unë mendoj se zbatimi i ligjit, gjë për të cilën ne insistojmë vazhdimisht, jo vetëm është detyrë e përgjegjësve, e atyre që kanë kompetenca ekskluzive në siguri dhe shumë çështje tjera, pra e UNNIK-ut, por ajo nuk duhet asnjëherë të kuptohet si një koncension që u bëhet shqiptarëve, pra implementimi i ligjit”, tha zoti Faruk Spahia, njeriu numër një i qytetit të Mitrovicës, i cili që nga mbarimi i luftës vazhdon të administrohet në dy pjesë në veri, nga strukturat paralele serbe dhe në pjesën veriore nga strukturat e zgjedhura legale.
Ndërkohë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Lutfi Haziri, thotë se strukturat paralele në Kosovë janë rezultat i politikës së Beogradit zyrtar. Ai thotë se përveç organizimeve administrative-politike, këto struktura kanë në Kosovë dhe organizimin e tyre vetjak të sigurisë në pjesët që i kontrollojnë, respektivisht në ato pjesë të Kosovë,s të cilat nuk administrohen nga UNMIK-u dhe pushteti vendor. Haziri thotë se UNMIK-ut dhe qeverisë së vendit i është rekomanduar disa herë që të ndikojnë në shpërbërjen e këtyre strukturave dhe se sipas Hazirit, raporti i fundit i OSBE-së është vetëm konfirmim i gjendjes ekzistuese.
“Unë shpresoj që ky raport i OSBE-së do të ndikojë në radhë të parë në administratën ndërkombëtare, në mënyrë që të bëjnë presion në qendrat që i zhvillojnë këto struktura në Kosovë, t’i eleminojnë dhe t’i zhdukin dhe të mos i mbajnë në infuzione me mjete buxhetore dhe financiare, për të lejuar zhvillimin në Kosovë”, tha Lutfi Haziri, për të shtuar se pushteti vendor, njëkohësisht duhet të krijojë kushte të barabartë jetese për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, në mënyrë që të ndihmohet integrimi i tyre, kryesisht i komunitetit serb në strukturat legale të pushtetit. Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kryesisht nga pjesa veriore ku strukturat paralele, sipas OSBE-së, janë mëse evidente, vlerësojnë se bëhet fjalë për një realitet tjetër me atë që prezanton OSBE-ja.
Velimir Bojoviç, është kryetar i Komunës së Albanikut, përkatësisht Leposaviçit. Sipas tij, struktura paralele në Kosovë janë organet e UNMIK-ut dhe jo strukturat e Beogradit që funksionojnë në Kosovë:
“Struktura paralele në Kosovë, ndoshta mund të konsiderohet me strukturat e UNMIK-ut, sepse strukturat e Serbisë në Kosovë kurrë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë struktura paralele, thotë Bojoviç. Kurse krejtësisht mendim të kundërt shpreh zoti Faruk Spahia, i cili gjithashtu e fajëson administratën e UNMIK-ut, por ai thotë se UNMIK-u po heziton t’u japë fund ekzistimit të strukturave paralele serbe në Mitrovicë dhe në pjesë të tjera ku ato ekzistojnë:
“Tani pas katër vitesh të thotë dikush se nuk duhet menjëherë të ndërmerren masa drastike për eleminimin e atyre strukturave paralele, por duhet edhe më tepër të luten ekstremistët se në çfarë dinamike të shuhet ai sistem paralel, unë mendoj se është e pakuptimtë dhe dua të kujtoj që po shtrembërohen raportet që shkojnë nga Mitrovica në administratën qëndrore të UNMIK-ut në Kosovë dhe ato që shkojnë në Këshillin e Sigurimit”, tha zoti Spahia.
Përndryshe, që nga mbarimi i luftës, përkundër faktit se komuniteti serb ka marrë pjesë pjesërisht në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, ky minoritet vazhdimisht ka funksionuar në kuadër të një organizimi të mbyllur nëpër enklava.




XS
SM
MD
LG