Ndërlidhjet

FATMIR SEJDIU: ÇDO NDRYSHIM - NË KOORDINIM EDHE ME NDËRKOMBËTARËT


"Në Kosovë, nga koha e miratimit të Kornizës Kushtetuese, nga viti 2001 e deri tash, janë krijuar rrethana të reja, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, sjellin një realitet të ri dhe ky realitet është i përputhshëm edhe me vetë frymën e rezolutës 1244 për ndërtimin e një vetëqeverisjeje substanciale në pritje të zgjidhjes së statusit" – thotë Fatmir Sejdiu, anëtarë i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shpjegoni kundërshtimin e kryeadministratorit të Kosovës Harri Holkeri, që e shprehu të enjten e kaluar nga Nju Jorku, për nismën e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, kur kryetari i Kuvendit Nexhat Daci tha se për këtë proces "ka pajtueshmëri edhe në zyrën ligjore të UNMIK-ut"?

FATMIR SEJDIU
Unë mund të them se ndoshta në mënyrën më të lehtë do ta quaja vetëm një keqkuptim në këtë rast. Mendoj se Kuvendi ka një të drejtë të tillë që ta bëjë një nismë dhe kjo nismë natyrisht do të përputhet edhe me vetë pushtetet e përfaqësuesit special në Kosovë. Çështja themelore është se me këtë iniciativë, që është dhënë me mbështetje nga 2/3 e Kuvendit, dëshirohet praktikisht që Korniza të ndryshohet apo të plotësohet në ato fusha që praktikisht deri tani edhe janë fusha të biseduara në kuptimin e bartjes së përgjegjësive në institucionet e Kosovës dhe mendoj se këtu nuk mund të ketë ndonjë keqkuptim tjetër. Çështja e dytë është pikërisht se në Kosovë, nga koha e miratimit të Kornizës Kushtetuese, nga viti 2001 e deri tash, janë krijuar rrethana të reja, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, sjellin një realitet të ri dhe ky realitet është i përputhshëm edhe me vetë frymën e rezolutës 1244 për ndërtimin e një vetëqeverisjeje substanciale në pritje të zgjidhjes së statusit. Në këtë aspekt mendoj se Korniza Kushtetuese, si dokument kushtetues në Kosovë, duhet të bëjë hapin përpara dhe t'u përshtatet rrethanave të reja dhe kjo nuk do të thotë që me këtë dëshirohet të grabiten pushtete sikurse nganjëherë cilësohet në forma të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
I përmendët ndryshimet në disa fusha, që ju mendoni se do të duhet të ndryshohen nga teksti i tashëm i Kornizës. A mund të kuptohet kjo se ju angazhoheni për një kushtetutë dhe jo për një kornizë ligjore?

FATMIR SEJDIU
Unë mendoj se baza themelore është për një dokument kushtetues të kësaj faze. Nuk është fjala e ndryshimeve të emrit apo proceseve të tjera. Sigurisht se çdo ndryshim që do të bëhet do të jetë në koordinim edhe me ndërkombëtarët, sikurse është vepruar edhe në fazat e mëhershme, por ky dokument kushtetues, në këtë bazë apo me këtë nismë dëshirohet, thjesht, që të jetë i tillë që t'u adaptohet rrethanave të reja të kohës dhe natyrisht ne dëshirojmë që të normojmë pikërisht ato fusha që në kreun e pestë cilësohen si pjesë e përgjegjësive edhe të institucioneve të Kosovës, por në një nuancë apo një tjetër ka pushtet edhe përfaqësuesi special. Pra, në këtë aspekt, vetëm dëshirojmë që të ecim një hap më tej dhe që do të jetë e përshtatshme për qytetarët e Kosovës pra edhe p;r vetë institucionet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sejdiu, tash sa kohë politikanët shqiptarë të Kosovës angazhohen për kalimin sa më shpejtë të kompetencave që nuk janë të rezervuara nga autoritetet e UNMIK-ut tek institucionet e Kosovës. A ndërlidhet nisma e Kuvendit me këto kërkesa, që duket se janë gjithnjë e më të zëshme?

FATMIR SEJDIU
Absolutisht është në përputhje të plotë dhe këtu besoj se nuk ka një mungesë harmonie edhe me vetë qëllimin që duhet të ketë përfaqësuesi special dhe institucionet e tjera ndërkombëtare në Kosovë. Siç e dini, në vetë Kornizën Kushtetuese ekziston një normë e posaçme, e cila përfaqësuesin special e obligon për lehtësimin e kalimit të përgjegjësive në institucionet e Kosovës, prandaj ne me këtë hap dëshirojmë të jemi vetëm në funksion të këtij objektivi dhe besoj se edhe norma e re që do të jetë, apo norma plotësuese me amendamente të caktuara do të jetë ajo që s'mund të diskutohet apo s'mund të hidhet poshtë nga kuptimi i realitetit të krijuar dhe i nevojave që ai realitet I bartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni anëtar i komisionit të formuar nga Kuvendi i Kosovës për ta çuar përpara këtë nismë. Në këtë kuadër dua t'ju pzyes se si do të zhvillohen gjërat më tutje nëse eventualisht nuk arrinë leja apo "pajtueshmëria" siç ka thënë zoti Daci, nga zyra ligjore e UNMIK-ut?

FATMIR SEJDIU
Unë mendoj se nuk shohë ndonjë pengesë të madhe në këtë drejtim dhe besoj se të gjithë hapat e mëtejshëm do të jenë hapa që do të koordinohen - natyrisht në frymën e një bashkëpunimi të ndërsjellë dhe mbi këtë bazë kujtoj se pala ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu, do ta shehë arsyeshmërinë e këtyre proceseve dhe kujtoj se do të jetë vetëm ndihmëse e gjetjes së zgjidhjeve më të mira dhe më të përshtatshme për ndryshimet eventuale që duhet të bëhen në Kornizën Kushtetuese.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG