Ndërlidhjet

KUR OPONENCA POLITIKE TRAJTOHET ARMIQËSI


Melazim Krasniqi

Qasja agresive në komunikimin për çështjet partiake që duhet të rezultojë dhe në krim, i ka rrënjët në traditat sociale të shtrira nëpër shekuj. Njeriu shqiptar i Kosovës ka jetuar tepër gjatë në një strukturë sociale të identifikuar si jetë brenda fisit. Identifikimi me fisin sipas lidhjes së gjakut e ka si tipar faktin se identifikimi me komunitetin fisnor dhe me prijësin është i plotë. Përkatësia e një fisi dhe nën një bajraktar nënkupton realitet që nuk mund të negociohet, pavarësisht nëse veprimet që duhet të kryhen për kauzën e tij janë apo jo të drejta moralisht. Mungesa e dimensionit kritik dhe të bazuarit në moral dhe drejtësi ka prodhuar tipin e veçuar të mercenarit, që kryen veprime agresive pa vrasje të ndërgjegjes. Ai në fakt përgjegjësinë ja faturon fisit dhe udhëheqësit të tij. Në realitetet e ndryshuara sociale, këto mostra e kanë zëvendësuar identifikimin e dikurshëm të fisit me partinë politike dhe me liderin e partisë. Në jetën e përditshme veçanërisht nëpër fshatra shihen gjithandej njerëz, të cilët edhe pse kanë halle të panumërta sociale, shëndetësore, probleme me shkollimin dhe punësimin e fëmijëve, tërë kohën harxhojnë energji të mëdha për debate të kota politike. Bëhen avokatë të zjarrtë të ndonjë deklarimi apo veprimi politik edhe pse atë mbrojtje askush nuk ua kërkon. Odat e shumta bëhen minikuvende ku debatohet me orë të tëra për takimin e Vjenës, për ardhjen e nënsekretarit Grossman në Kosovë dhe për takimet e tij me të preferuarit e tyre. Biseda të kësaj natyre zhvillohen kuturu pa asnjëlloj informacioni të sistemuar. E keqja është se e tëra përshkohet nga tone të larta dhe tifozeri konfliktuale. Nëpër fshatrat kosovare tashmë është prodhuar tipi agresiv i aktivistit partiak, i cili bie në bela për liderin, të cili në jetën e vet nuk e ka takuar kurrë dhe nga i cili nuk ka asnjë lloj mandati. Por këta janë tipa që frustrimet e veta gjejnë terren ku i shkarkojnë në formën e identifikimit me partinë në mungesë të identifikimit me fisin. Ajo që është edhe më drastike, është se qëndrimin armiqësor të dikurshëm ndaj fisit tjetër, një njeri i tillë duhet ta transmetojë në qëndrim agresiv ndaj njerëzve që u përkasin partive të tjera. Partitë politike dhe udhëheqësit e tyre në Kosovë, mediat dhe shoqëria civile, do të duhej t'i kushtonin gjithnjë vëmendje kësaj prirjeje të rrezikshme të një dore njerëzish. Mesazhet e tyre pajtuese sa më të shpeshta mund të zbusin këtë prirje që nganjëherë duket se tretet për që shpërthen krej papritur dhe në forma kriminale. Sa u përket partive politike, këto vitet e fundit ato nuk shquhen për punë praktike në terren. Mesazhet e tyre liderët i transmetojnë nga ekranet televizive dhe nga gazetat, por mesazhet e tyre janë si hieroglife egjiptiane për tipin e skicuar të aktivistëve të dalë nga fshikëza e identifikimit me fisin dhe me bajraktarin. Identifikimi i tyre është i rrënjosur dhe nuk mund të shkulet me mesazhe të teledirigjuara. Njohja e politikanëve dhe e programeve të partive, debatet e hapura dhe të sinqerta, janë ilaçi më efikas kundër të keqes që prodhon fanatizmi politik, i shartuar nga tipat e fanatizmit të dikurshëm fisnor.


XS
SM
MD
LG