Ndërlidhjet

STAMBOLL


Të paktën 27 njerëz e humbën jetën dhe më shumë se 450 u plagosën nga sulmet terroriste në Stamboll.
Në mesin e viktimave është edhe konsulli britanik.
Dëmet më të rënda nga shpërthimet u raportuan në konsullatën britanike dhe para zyrave të një banke britanike.
Shpërthimet ndodhën 5 ditë pas sulmeve ndaj dy sinagogave, ku e humbën jetën 25 njerëz.
Ministri i jashtëm i Turqisë, i cili gjendet për një vizitë në Suedi, deklaroi se Turqia nuk do të përkulet përpara terrorizmit.
"Tani ne po përballemi me sulme të organizuara terroriste. Fatkeqësisht humbëm shumë njerëz, por gjithmonë do të vazhdojmë ta luftojmë terrorizmin", tha Abdullah Gyl.
Reagimet e para erdhën nga kryeqendra britanike. Sekretari i jashtëm Jack Straw tha: "Ato që ndodhën sot në mëngjes në Stamboll gjithsesi janë akte terroriste. Ende nuk i kemi të gjitha detajet, por duket se të paktën kishte 5 shpërthime të koordinuara", tha Jack Straw.
Lidhur me sulmuesit e mundshëm, shefi i diplomacisë britanike tha: "Deri në këtë çast nuk mund të themi me siguri kush është përgjegjës për këto akte të tmerrshme terroriste në Stamboll, por mendoj se sulmet e kanë parashenjën e terrorizmit ndërkombëtar, të cilin e praktikon Al Kaida dhe organizatat e ngjashme".
Sulmet terroriste në Stamboll shkaktuan reagime negative në bursat e Gjermanisë, ku aksionet ranë për 1.5 përqind. Humbje më të mëdha pësuan Lufthanza dhe koncerni turistik TUI, ndërsa në Turqi bursa krejtësisht e pezulloi punën. Lëkundje u shënuan edhe në bursat tjera evropiane.
XS
SM
MD
LG